Vllaznia bën “golin” më të rëndësishëm të merkatos, Bekim Balaj rikthehet në shtëpi
Goditje surprizë në merkato për Vllazninë që në më fund konkretizon me një “gol” të rëndësishëm përpjekjet për të forcuar sa më shumë skuadrën e Mirel Josës.
Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Bekim Balaj rikthehet në shtëpi pasi vesh fanellën kuqeblu duke hequr dorë ndoshta nga shuma edhe më të mëdha nga ofertat që ka pasur ditët e fundit.

Bomberi kuqezi që vjen nga ndalesa e fundit në Turqi, bëhet kështu transferimi më i bujshëm i viteve të fundit në një klub shqiptar pasi ai ka një profil të lartë dhe mund të konsiderohet lojtari më cilësor në Kategorinë Superiore edhe pse këtë duhet ta konfirmojë edhe në fushën e blertë.

32-vjeçari është formuar në akademinë e Vllaznisë nga ku u largua në vitin 2010 për te skuadra turke e Gençlerbirliği ndërsa më pas ka mbajtur të veshur edhe fanellat e Tiranës, Spartës së Pragës, Jagiellonias, Slavias së Pragës, Rijekës, Akhmat Groznit, Sturm Grazit, Nizhni Novgorod, Boluspor dhe Ankara. Me fanellën e Kombëtares së parë numëron 46 ndeshje dhe 8 gola të shënuar.
