Kategoria Superiore, ka gola dhe polemika në Rrogozhinë, fiton Teuta

Barazim, gola, polemika dhe vetëm nga një pikë për skuadër. Egnatia dhe Erzeni ndahen në “paqe” në Rrogozhinë pas një ndeshjeje shumë të luftuar ndërsa në Durrës, Teuta mori “oksigjen" pasi kaloi Kastriotin 2-0. Dy ndeshjet e fundit të javës së 16 dhuruan jo pak emocione por edhe zhgënjim për proitagonistët.

Rrogozhinasit kaluan të parët në avantazh me Xhekson nga pika e bardhë por vetëm 3 minuta më pas Sadiki barazoi rezultatin. Polemika disa çaste më vonë kur brazilianit Xhekson iu anulua një gol nga sistemi VAR për një faull në nisjen e aksionit ndërsa shijakasint shënuan por ishte sërish sistemi VAR që ndërhyri për ta lënë ndeshjen përfundimisht në shifrat 1-1. Egnatia ngjitet në vendin e tretë me 25 pikë, po aq sa dhe Vllaznia, ndërsa Erzeni qëndron në vendin e 5 me 23 pikë.

Në sfidën tjetër të ditës së shtunë, Teuta sfidoi Kastriotin dhe arriti një sukses shumë të rëndësishëm duke iu larguar fundit të klasifikimit. Realizimet e Lorenco Vilës dhe Oshafit i japin shpresë ekipit të Edi Martinit që ngjitet në kuotën e 17 pikëve, po aq sa Bylisi i vendit të 8 ndërsa Kukësi zbret në fundin e renditjes me 16.