Aleanca Rusi-Armeni në pikëpyetje, Moska i fajëson për prishje të bisedimeve për paqe me Azerbajxhanin
Ndërprerja e bisedimeve të paqes mes Azerbajxhanit dhe Armenisë ka vënë në pikëpyetje aleancën mes këtyre të fundit dhe Rusisë. Teksa Moska zyrtare bën fajtorë aleatët e tyre për prishje të bisedimeve, Armenia i kërkon të respektojë marrëveshjen për të vënë në lëvizje ushtrinë në zonën e konfliktit
Bisedimet për paqe mes Armenisë dhe Azerbajxhanit sa i përket konfliktit për Nagorno-Karabak, janë anulluar, e për këtë shkak Moska fajëson aleatët Armenë.
Kjo është përplasja e fundit mes tyre, duke vënë në pikëpyetje edhe aleancën mes Armenisë dhe Rusisë.
Armenia dhe Azerbajxhani për muaj të tërë kanë zhvilluar bisedime me qëllim që të arrijnë një marrëveshje të paqes për Nagorno-Karabakun – një rajon ky i shkëputur që njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por që është shtëpi kryesisht e armenëve etnikë.
Muajin e kaluar, disa azerbajxhanas që pretendojnë se janë aktivistë mjedisorë, kanë bllokuar rrugën e vetme që lidh Nagorno-Karabakun me Armeninë. Jerevani e ka quajtur këtë si bllokadë të mbështetur nga Qeveria.
Por, Bakuja ka thënë se protestuesit kanë shqetësime legjitime lidhur me qasjen ilegale nga armenët dhe Azerbajxhani mohon se ky rajon të jetë bllokuar.
Në deklaratën e lëshuar të enjten, Rusia fajësoi Armeninë për anulimin e bisedimeve të paqes mes dy shteteve dhe i bëri thirrje Jerevanit që të kthehet në tavolinën e bisedimeve.
“Është vështirë të vlerësohet pozicioni i Jerevanit kur deklaratat e tyre zyrtare dallojnë shumë”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
“Nëse partnerët tanë armenë janë vërtetë të interesuar për të zgjidhur këto probleme, atëherë në vend se të merren me deklarata, është e nevojshme të vazhdojmë të punojmë së bashku”, shtoi ajo.
Zyrtarët në Jerevan kanë rritur zemërimin e tyre ndaj Rusisë pasi sipas një marrëveshjeje të nënshkruar më 2020, nën ndërmjetësimin e Moskës, Rusia vendosi një kontingjent të forcave paqeruajtëse në rajon dhe Azerbajxhani u pajtua se do të sigurojë lëvizje të lirë përgjatë Korridorit Laçin, që lidh Armeninë dhe Nagorno-Karabakun.
Armenia ka thënë se Azerbajxhani nuk po i përmbahet kësaj marrëveshje dhe ka kërkuar që paqeruajtësit rusë të bëjnë më shumë për të shpërndarë protestuesit në Korridorin Laçin.
Nga ana tjetër Moska ka deklaruar se po bën gjithçka që mundet për të ndihmuar palët për të tejkaluar këtë situatë.