Mbrojtja ajrore ruse pretendon se ka rrëzuar një objekt “UFO” pranë Detit Azov
Bateritë kundërajrore në rajonin jugor rus të Rostovit kanë rrëzuar atë që përshkruhet në lajmet lokale ruse si një "UFO".
Guvernatori i rajonit Vasily Golubev shkroi në Telegram se një objekt me përmasa të vogla në formën e një topi ishte parë duke fluturuar mbi fshatin Sulltan Sala në rrethin Myasnikovsky të rajonit, në një lartësi prej rreth 3 kilometra të martën, 3 janar.
Objekti i paidentifikuar u vu menjëherë në shënjestër të mbrojtjes ajrore lokale. Gazeta lokale e lajmeve Pivyet Rostov raportoi se "një UFO në formën e një topi u rrëzua në qiell".
Duke shpjeguar se vendimi u mor për të “likuiduar" objektin, Golubev u kërkoi njerëzve të qëndronin të qetë. Ai siguroi vendasit se qielli është i mbuluar me mbrojtje kundërajrore dhe se nuk kishte asnjë rrezik.
Kanali lokal i lajmeve Ostorozhna, Novosti tregoi një video të një objekti të shndritshëm në formë topi duke shpërthyer në qiell.
Rostovi zë një pozicion të rëndësishëm strategjik në Detin Azov, një trup ujor i kufizuar nga Rusia në lindje dhe nga Ukraina në veriperëndim dhe jugperëndim.
Provinca u emërua si një nga gjashtë rajonet ruse – së bashku me dy rajone të aneksuara rishtazi, në të cilat udhëheqësi rus Vladimir Putin ka prezantuar një "nivel të mesëm reagimi". Kjo përfshin kufizimet e lëvizjes dhe masat e tjera të rendit publik.
