29 mijë çështje stok në Gjykatën e Lartë
Gjykata e Lartë ka ulur me rreth 7 mijë dosje stokun e çështjeve të pa shqyrtuara, ndërkohë që një shqetësim mbetet paraqitja e rekurseve të pa bazuara të cilat rrisin artificialisht ngarkesën e institucionit.
“Nga 36 mijë çështje që prisnim për të gjykuar në mars 2020, sot numri i çështjeve të prapambetura është ulur në 29 mijë e 10. Ndërkohë që numri i vendimeve të marra për këtë periudhë është 11 mijë e 764. Ndërkohë që Kolegji Administrativ ndodhet në çështjet më të vjetra të vitit 2016. Kurse Kolegji penal është në vitin 2017 dhe gradualisht do të kalojë në vitin 2018.”
Zv.kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, u shpreh se përgjegjësi kryesor për rekurset e pasuksesshme janë organet publike, dhe veçanërisht avokatura e shtetit.
“Organet publike rezultojnë gjyqhumbëse në 2355 çështje administrative dhe civile ose 76 për qind. Ndërsa individët dhe personat juridik privat rezultojnë gjyqhumbës në 728 çështje ose 24 për qind të tyre. Moskalimi i testit të pranueshmërisë në afro 80 për qind të rekurseve të paraqitura adreson shqetësimin tek aktorët e sistemit të drejtësisë përfshirë avokatët privat, avokaturën e shtetit."
Si pasojë e unifikimit të praktikës në Gjykatën e Lartë, një pjesë e institucioneve kanë nisur të tërheqin rekurset duke ulur kështu stokun e çështjeve në pritje.
“Avokatura e shtetit duhet të jetë më e përgjegjshme në mënyrën si i parashtron rekurset. Organet publike kur humbin bëjnë rekurs vetëm për të qenë brenda. Policia e shtetit ka 500 kërkesa për heqje dorë nga rekursi. Institucionet e tjera kanë qenë kryesisht sigurimet shoqërore.”
Megjithatë zv.kryetari i Gjykatës së Lartë, pranoi se strategjia e uljes së stokut nuk është bazuar vetëm në pritshmërinë për tërheqjen e rekurseve, por edhe tek analiza e natyrës së çështjeve.
Për Sadushin, ulja e ngarkesës në Gjykatën e Lartë do të lehtësohej nga emërimi i këshilltarëve ligjorë, por edhe për këtë sistemi duket se po përballet me një problem të shkaktuar nga vetë reforma në drejtësi me vendet vakante të krijuara në sistem.
“Ne aktualisht kemi 24 këshilltarë ligjorë ndërkohë që duhet të kemi 38. Ne presim që të emërohen edhe 14 këshilltarë të rinj ligjor. Këto 14 këshilltarë ligjor duhet të jenë vetëm gjyqtarë.”
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.
