Kosovë-Serbi bëjnë "paqe" për festa, Spahiu: Rreziku i luftës nuk është shmangur
Banorët e veriut të Kosovës do të mund të kalojnë të qetë festat e fundvitit pas ditë të tëra tensionesh.
Ndërmjetësimi i amerikanëve mundësoi lirimin e ish-policit serb, Dejan Pantiç, "molla e sherrit" që solli vendosjen e barrikadave nga serbët e që tani do të duhet ti heqin.
Analisti, Nexhmedin Spahiu, në një lidhje me skype për Rtv Ora nga Mitrovica thotë se kjo është një paqe e brishtë për festa por se problemi mbetet aty.
Spahiu: SHBA-të kanë negociuar me presidentin Vuçiç dhe ka qenë në interesin e Vuçiç që tani të heqë barrikadat për shkak se është festa e Vitit të Ri, pastaj janë Krishtlindjet ortodokse të cilat kisha serbe i feston sipas kalendarit të vjetër, me 7 janar.
Një popullatë e tërë prej 40 mijë banorësh ka qenë sanduiç mes mbylljes së kufijve që ka bërë policia e Kosovës në kufi me Serbinë dhe barrikadave që ka ngritur qeveria e Serbisë duke penguar qarkullimin me pjesën tjetër të Kosovës.
Sigurisht një situatë e tillë për 40 mijë banorë në Vitin e Ri, në Krishtlindje ka qenë e paqëndrueshme dhe është gjetur një kompromis që të lirohet përkohësisht ish-polici serb, Dejan Pantiç. Nuk ka pasur një arsye të shëndoshë që të lirohet pos arsyeve politike. Sistemi gjyqësor në Kosovë është i varur nga Ambasada amerikane.
Sipas tij vetëm një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë do ti japë fund tensioneve.
Spahiu: Në këtë rast është lëshimi i policit serb. Gjendja e tensionuar mbetet dhe më tej. Rreziku i luftës nuk është shmangur. Përsëri tensionimi mbetet, deri në një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, gjendja do të mbetet e acaruar dhe do të acarohet dhe më tej. Janë disa qetësime të përkohshme ku njëra palë ose tjetra ndërmerr një hap i cili nuk është fort i favorshëm.
Hapi i radhës që pritet është heqja e barrikadave nga serbët pas urdhrit të presidentit Vuçiç, pasi me urdhër të tij edhe u vunë.
Një ditë më parë Vuçiç urdhëroi ushtrinë serbe në kufi për gatshmëri maksimale por Spahiu e konsideron një propagandë për konsum të brendshëm.
Spahiu: Urdhri për gatishmëri maksimale luftarake është dhënë pasi është bërë marrëveshja me amerikanët për lëshimin e policit në këmbim të heqjes së barrikadave. Është një gjest, i cili i shërben politikës së brendshme në Serbi. Është një propagandë.
Të njëjtën gjë bëri Kosova, me presidenten serbe të veshur me rroba ushtarake. Thelbi i problemit është se amerikanët e kanë qetësuar edhe kësaj radhe por kjo nuk do të thotë se vazhdimisht do ta qetësojnë. Nuk ka asnjë garanci që këto barrikada nuk mund të vendosen një ditë tjetër. Problemi nuk ka mbaruar me kaq.
Shenim: *Ky është artikull ekskluziv i Ora News, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Ora News” bashkëngjitur me linkun e artikullit origjinal.

