Tërmet 4.9  i shkallës Rihter godet Greqinë, banorët dalin të trembur në rrugë

Një tërmet i fortë 4.9 Rihter ka ndodhur mesditën e së mërkurës, në orën 14:24, në Evia, i cili është ndjerë veçanërisht edhe në Atikë.

Sipas Institutit Gjeodinamik, epiqendra e tërmetit ishte 15 kilometra në verilindje të Kalkidës, në Psachna Evia. Thellësia e lëkundjes ishte 13.2 kilometra.

Gjashtë minuta më vonë pasoi një tërmet i dytë me magnitudë 2.4 ballë, ndërsa në orën 14:49 pasoi një tjetër lëkundje me magnitudë 3.4 ballë.

Sizmologu Gerasimos Chouliaras, u përmbajt nga vlerësimet se çfarë do të pasojë dhe nëse bëhet fjalë për tërmetin kryesor apo jo, por preferoi të flasë bazuar në matjet tashmë ekzistuese të tërmetit fillestar dhe pasgoditjet duke deklaruar në bazë të tyre se fenomeni po ngadalësohet.

Sizmologu Gerasimos Papadopoulos foli për një fokus të ri, i cili nuk është i panjohur pasi kishte shkaktuar një tërmet në të kaluarën.

“Tërmeti është ndjerë fuqishëm në Evia dhe Atikë. Epiqendra ndodhet 9 km në lindje të Psachna Evia. Është një shpërthim që nuk ka lidhje me atë që u aktivizua në zonën e Evias Jugore muajin e kaluar në Nea Styra”, tha ai dhe theksoi se e njëjta zonë ishte aktivizuar në vitin 2003, me 5.3 Rihter.

“Madhësia është e rëndësishme dhe afër një qendre të madhe urbane si Kalkida. Kështu që unë propozoj që komisioni i vlerësimit të rrezikut të tërmetit të ngrihet tani”, shtoi ai.

Kryetari i bashkisë së Dirfyon Messapia, Giorgos Psathas tha: “Tërmeti është ndjerë veçanërisht, duke bërë që banorët të tremben dhe të dalin në rrugë. Në këtë moment jemi në gatishmëri, me të gjitha shërbimet kompetente të Komunës, për regjistrimin e dëmeve. Tani për tani, ajo që dimë është se xhamat janë thyer”.