Kurti paralajmëron takim me komandantin e KFOR-it për barrikadat në veri
Albin Kurti ka paralajmëruar se do të kërkojë takim me komandantin e KFOR-it për të përcaktuar mënyrën e veprimit me barrikadat e vendosura nga serbët në veri të vendit. Ai ka theksuar se rrugët kanë dy javë që janë bllokuar nga banda të armatosura, dhe qeveria e Prishtinës nuk do të presë pafundësisht për zgjidhjen e situatës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se do të takohet me komandantin e KFOR-it, për të sqaruar se si do veprohet me barrikadat në veri të vendit.
Kjo sipas tij, do të ndodhë pas festës së krishtlindjes. Në një dalje para medias të shtunën, Kurti tha se qeveria është në pritje që KFOR-i të veprojë, por “kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht”, pasi këto nuk janë barrikada civile, por "barrikada të njerëzve të uniformuar dhe të të armatosur".
Kreu i qeverisë në Prishtinë, tha se për këtë çështje ka qenë në kontakt me forcat ushtarake ndërkombëtare edhe deri tani. Sipas tij, “KFOR-i ka kërkuar pak kohë. Por, më 24 dhjetor janë bërë dy javë që nga vendosja e 11 barrikadave në veri të lumit Ibër, të cilat po pengojnë lirinë e lëvizjes".
Grupe personash të identifikuar si qytetarë serbë në veri ngritën barrikada duke nisur nga 10 dhjetori, duke bllokuar rrugët për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb nga Policia e Kosovës. Rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – janë të bllokuara çka ka sjellë edhe mbylljen e dy pikave të kufirit për qarkullim. Më 22 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se nëse KFOR-i nuk vepron, Kosova do t’i heqë barrikadat me forcat e saj.
Atë ditë, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave gjatë një proteste në Rudarë, ku kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu. Nga ana tjetër në Prishtinë janë shtuar zërat që kërkojnë ndërhyrjen për heqjen e barrikadave.
Por KFOR-i deri tani nuk ka vepruar duke bërë thirrje për vetëpërmbajtje nga dy palët. Në një deklaratë më 23 dhjetor, komandanti i KFORit, u shpreh se është e rëndësishme që të gjitha palët të shmangin çdo retorikë apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe përshkallëzojë situatën.
“Presim që të gjithë aktorët të përmbahen nga shfaqjet provokuese të forcës dhe për të kërkuar zgjidhjen më të mirë për të garantuar sigurinë dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve”, ka theksuar komandanti i forcës shumëkombëshe ushtarake në Kosovë, Gjeneral Major Angelo Michele Ristuçia.
