“Luftë nervash” për barrikadat në Veri, KFOR kërkon dialog, Kosovës po i “shteron” durimi
Sot është dita e 15-të që kur serbët vendosën barrikada në Veri te Kosovës, në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiç.
Nga ana e tij, KFOR ka kërkuar zgjidhje përmes dialogut, ndërsa Prishtina zyrtare ka paralajmëruar largimin përmes policisë së Kosovës.
KFOR ende nuk ka marrë vendim për të ndërhyrë edhe pse SHBA dhe BE apeluan për heqjen e tyre.
Një neglizhencë e tillë është kritikuar dhe nga deputetët e partisë qeverisëse.
Adnan Rrustemi dhe Arban Abrashi ligjvënës të “Vetëvendosjes” thanë se situata po bëhet e papranueshme.
Ata i bënë thirrje KFOR-it të marrë masa, ndryshe një zgjidhje mund të sjellë edhe policia e Kosovës.
“Rendi dhe ligji duhet të mbizotërojnë. Me krimin dhe paligjshmërinë nuk mund të negociohet. Barrikadat duhet të hiqen sa më parë dhe Policia e Kosovës ka të gjitha kapacitetet ta bëjë këtë gjë”, ka deklaruar Adnan Rustemi.
Më herët edhe ministri i Brendshëm është shprehur për një ndërhyrje të mundshme të policisë së Kosovës.
Vete komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia, tha së fundmi se e rëndësishme është që të shmanget çdo retorikë, apo veprim që mund të shkaktojë tensione dhe të përshkallëzojë situatën. Ai i bëri apel palëve të vetëpërmbahen nga shfaqjet provokuese.