Vdekja e Franco Frattinit, Meta: Ishte mik i shqiptarëve dhe mbështetës i rrugës tonë në BE

Ish-presidenti Ilir Meta ka komentuar ndarjen nga jeta të politikanit italian Franco Frattinit, duke ndarë trishtimin e tij për këtë vdekje të parakohshme.

Meta shkruan se ai ideoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ishte mbështetësi më i vendosur për suksesin e këtij procesi historik sidomos për Shqipërinë.

Meta: Me trishtim të thellë mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të Franco Frattinit, mikut të madh të shqiptarëve, i cili ideoi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave të BE me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ishte mbështetësi më i vendosur për kurorëzimin me sukses të këtij procesi historik sidomos për Shqipërinë.

Frattini ishte një përkrahës i jashtëzakonshëm për anëtarësimin tonë në NATO dhe integrimin evropian. Ai e kuptonte rëndësinë e marrëdhënieve strategjike midis dy vendeve tona, ndaj u përkushtua për forcimin e tyre në të gjitha drejtimet. Ngushëllimet më të ndjera familjes Frattini, autoriteteve dhe popullit mik italian për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme që na pikëlloi të gjithëve!