Me letra të falsifikuara, kapet turku në Rinas dhe shqiptari i Kosovës në Portin e Durrësit

Në kuadër të masave masa të shtuara edhe për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare kapet në Rinas një shtetas turk, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ndërsa në Portin e Durrësit vihet në pranga një shtetas kosovar i cili për të kaluar kufirin, ka përdorur dokumente të falsifikuara.

“Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit, gjatë kontrolleve intensive, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, kanë ndaluar dhe arrestuar provizorisht, me qëllim ekstradimi drejt Gjermanisë, shtetasin turk B. T., 33 vjeç, banues në Turqi. Nga verifikimet e kryera në hyrje të Republikës së Shqipërisë, rezultoi se ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden/Gjermani.

Ndërsa nga shërbimet e Policisë Kufitare në Port Durrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit kosovar Z. K., 53 vjeç banues në Kosovë. Ky shtetas për të kaluar kufirin ka përdorur pasaportë kosovare dhe një leje qëndrimi gjermane në emër të një shtetasi tjetër, duke shfrytëzuar ngjashmërinë.” – njofton policia.