Turqia: Suedia ka ende kërkesa që duhet të përmbushë për t'u anëtarësuar në NATO
Turqia bën me dije se vlerëson hapat e deritanishëm të Suedisë për të marrë miratimin për t'u bashkuar me NATO-n, por sipas ministrit të jashtëm turk ky shtet nuk është as “në gjysmë të rrugës” në përmbushjen e angazhimeve që mori për të siguruar mbështetjen e Ankarasë.
Mevlut Cavusoglu tha se vendimi i një gjykate suedeze për të mos ekstraduar një person të kërkuar nga Turqia për lidhje të dyshuara me një grusht shteti të dështuar të vitit 2016 ka “helmuar” atmosferën pozitive në negociatat për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake.
Suedia dhe Finlanda hoqën dorë nga politikat e tyre të vjetra të mosangazhimit ushtarak këtë vit dhe vendosën të aplikojnë për t'u bashkuar me NATO-n pas pushtimit rus të Ukrainës. Masa kërkon miratimin unanim të 30 anëtarëve aktualë të aleancës.
Turqia e ka shtyrë procesin ndërsa u bën presion dy vendeve nordike për të goditur grupet që i konsideron si organizata terroriste dhe për të ekstraduar persona të dyshuar për krime të lidhura me terrorizmin.
Parlamentet e 28 vendeve të NATO-s kanë ratifikuar tashmë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës. Turqia dhe Hungaria janë të vetmet anëtarë që nuk kanë dhënë ende miratimin e tyre.
