Tregu bosh për festa, mungojnë blerësit në Fier
Kriza ekonomike që ka ndikuar në rritjen e herë pas hershme të çmimeve duket se ka bërë që qytetarët të mendohen dy herë për të blerë produktet e përvitshme të Vitit të Ri.Në Fier tregtarët thonë se janë drejt falimentit, pasi mungojnë blerësit, ndërsa shprehen se ky është viti më i keq sa i përket fitimeve.
Pavarësisht se jemi në prag të festave të fundviti, tregu i fruta-perimeve në Fier është gjysmë bosh.
Para disa vitesh aty kishte rreth 100 tregtarë, sot janë vetëm 64 prej tyre.
"Njerëzit janë duke u larguar se e shohin të pashpresë. Ky është një problem i madh.
Këto dy vitet e fundit, shumë pak. Sivjet është zero fare. S'ja kanë dalë dot ata që janë larguar. Të kesh 20 vjet këtu e të largohesh. Blerje nuk ka," thonë tregtarët.
Si rrallëherë blerësit numërohen me gishtat e dorës thonë tregtarët.
"Blerjet kanë rënë me 50%, domatja, patatja janë të gjitha të larta.
Nuk ka, ka mbaruar çdo gjë. Këtu kanë mbetur vetëm mosha e tretë, këta i kemi përditë. Çfarë do të marri ai, të jemi realist," tha një tregtar.
Kriza ekonomike që është shoqëruar me një rritje të vazhdueshme të çmimeve ka bërë që qindra mijëra familje të mendojnë seriozisht uljen e shpenzimeve për tavolinën e Vitit të Ri.

