“Parada e bakllavasë, pritja për gjelin e vizitat e reduktuara nga telefoni”, rrëfime mahnitëse në Jeto me Orën

Arben Tafaj, Kryetar i Shoqatës Tirana, Bujar Cici, këngëtar, Albana Shehu, gazetare dhe Mentor Sallaku kuzhinier në emisionin “Jeto me Orën” në Ora News treguan pjesëza historish nga e kaluara e tyre  që lidhen me festat e fundvitit.

Nga vizitat që bëheshin nëpër shtëpi, gjeli që duhej ngrënë në orën 9 të darkës që të pritej ora 12 e natës, parada e bakllavasë, te arrat që nuk thyheshin të ftuarit në "Jeto me Orën" ndajnë momente që për ta kanë mbetur në memorie.  

Bujar Cici tregon se si me kalimin e viteve janë reduktuar vizitat në festa :

“Sot nuk i gje më njerëzit të bashkuar. I ka prishur punët telefoni tani. Urime! Gëzuar Beni, gëzuar Ana! Më herët nuk kishte telefon të vinin te dera. Mëzi prisje të vinin njerëzit që të hanim ndonjë gjë më shpejt.”

Mentor Sallaku tregon momentin e pjekjes së gjelit në furrë dhe pritjen për ta ngrëqnë në orën 9 të darkës që të kapin orën 12:00.

"Sot ka ndryshuar gjithçka. Dhe pjesa e kuzhinës është totalisht ndryshe.  E vetmja gjë që më ka mbetur në kujtesën time janë ato sobat me xham. Brezi i sotëm nuk i mban mend. Kishte familje që blenin pulë normale dhe të tjerë që blinin gjel deti. E fusnim pulën në orën 6 duhej të piqej deri në 8 dhe ne uleshim e shihnim te xhami u poq apo jo. Dhe babai thoshte do të ulemi ta hamë pulën në orën 9 që të na kap ora 12 dhe për të bërë gëzuar Vinin e Ri."

Albana Shehu flet për atë që e quan si parada e bakllavave.

“Ne kemi pasur fatin e madh të përjetojmë traditën e bukur që na përçuan prindërit. Ishte një lloj tradite ku gratë e të njëjtit fis mblidheshin bashkë dhe bënin bakllavanë me mbi 100 petë dhe fillonte një lloj parade e çuarjes së tepsive të bakllavave në furra dhe jepej çmimi se cila do të ishte bakllavaja më e mirë. Çmimin ua vinte furrtari i lagjes që i piqte bakllavatë.”

Sakaq  Arben Tafaj tregon momentin e thyerjes së arrave.

“Kohët e fundit janë ca arra të mira që thyhen me dorë. Më herët ishin ca arra të vogla që mezi thyheshin. Dhe ne burrat e bënim një punë.”