Ronaldo mesazh Messit: Një lamtumirë e denjë për gjeniun

Leo Messi e bëri realitet ëndrrën e tij të madhe duke triumfuar në turneun më të madh në botë për Kombëtare.

Argjentina në finalen e madhe mposhti Francën me rezultatin 4-2 pas ekzekutimit të penalltive, ndërsa ndeshja e rregullt përfundoi në barazim 3-3.

Tashmë me trofeun e vetëm që i mungonte, Messi tani konsiderohet si më i miri i të gjitha kohërave në futboll.

Dhe për “Pleshtin” një mesazh interesant vjen edhe nga Fenomeni brazilian Luiz Nazario De Lima Ronaldo.

“Futbolli i këtij djali e hedh çdo rivalitet në erë. Unë pashë shumë brazilianë dhe njerëz nga e gjithë bota, duke u mbështetur Messin në këtë finale elektrizuese. Një lamtumirë e denjë për gjeniun që, përtej të qenit një yll i Kupës së Botës, ishte kapiten i një epoke. Urime Messi”, ka shkruar Ronaldo në Twitter.

Kujtojmë që Messi përveç Kupës së Botës fitoi edhe trofeun si lojtari më i mirë i turneut, trofe personal që e kishte fituar edhe në vitin 2014.