SHBA kundër futjes së ushtrisë serbe, Serbia: Escobar ka marrë frenat e Këshillit të Sigurimit
Beogradi ka reaguar me zemërim ndaj deklaratave të të dërguarit të posaçëm të SHBA në rajonin tonë i cili kundërshtoi kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë. Beogradi pretendon se Eskobar po shkel rezolutat e OKB-së.
Kryeministrja serbe Ana Brnabiç ka pretenduar se i dërguari i SHBA në Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar po vepron në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB.
Reagimi i kryetares së qeverisë në Beograd vjen pasi zoti Escobar tha se Uashingtoni kundërshtonte kthimin e forcave serbe në veri të Kosovës.
Escobar: Ne e kundërshtojmë këtë në mënyrë kategorike. Ne e refuzojmë këtë në mënyrë kategorike. Nuk e mbështesim fare. Dhe, po ashtu, dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.
Brnabiç e ironizoi zv/ndihmëssekretarin e Shtetit në një postim në Twitter.
Brnabiç: Kombet e Bashkuara nuk kanë nevojë të organizojnë sesione të Këshillit të Sigurimit, tashmë Eskobar do të vendosë për të gjitha çështjet globale tash e tutje. Nëse Karta e OKB-së nuk vlen për Serbinë atëherë në bazë të cilës marrëveshje/rezolute/parimi duhet të veprojmë ne?
Që prej nisjes së tensioneve të fundit në veri të cilat u konkluduan me bllokimin e rrugëve, presidenti serb kërcënoi se do të dërgonte 1000 trupa në veri të Kosovës.
Beogradi tha se po e bënte këtë në përputhje me rezolutën 1244 të OKB-së.
