Deputeti ukrainas i nis Zelenskit peticionin për njohjen e Kosovës

Deputeti ukrainas Oleksiy Goncharenko ka nisur një peticion që Ukraina të njohë pavarësinë e Kosovës.

"I dërgova një peticion Presidentit të Ukrainës me një kërkesë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Nëse peticioni mbledh 25,000 nënshkrime, presidenti duhet t'i përgjigjet," ka thënë ai.

Deklarata e plotë

Në sfondin e përkeqësimit të situatës në Kosovë dhe politikës agresive të Serbisë ndaj Kosovës, sugjeroj që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyi, të shqyrtojë mundësinë e njohjes së sovranitetit shtetëror dhe pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Pse duhet bërë tani?

Pavarësia e Kosovës është njohur nga gjysma e shteteve anëtare të OKB-së, përfshirë SHBA-në, si dhe nga shumica e vendeve të BE-së dhe NATO-s. Në vitin 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e OKB-së pranoi se shpallja e sovranitetit shtetëror të Kosovës nuk bie ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare, nuk shkel asnjë rezolutë dhe akt ndërkombëtar.

Rusia nuk e njeh Kosovën dhe i konsideron këto toka si serbe. Në të njëjtën kohë, propagandistët e Kremlinit pretendojnë se është e nevojshme të vendoset "i njëjti rend si Putini më 24 shkurt" në Ballkan. Dhe përfaqësuesit e partisë së presidentit serb Vuçiq folën për “denazifikimin e Ballkanit”. Rusia, së bashku me Serbinë, po përpiqet të nisë një luftë, duke i justifikuar veprimet e saj si çështje kombëtare.

Tani për tani, njohja e pavarësisë së Republikës së Kosovës do të dëshmojë mbështetjen dhe solidaritetin e Ukrainës në luftën për integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij shteti. Dhe do të tregojë gjithashtu se Ukraina, së bashku me botën demokratike, mbështet drejtësinë dhe qëndron në anën e së vërtetës.

Rezoluta ime për njohjen e pavarësisë së Kosovës qëndron në Verkhovna Rada pa marrë parasysh. Prandaj, me këtë peticion, së bashku me publikun, kërkojmë nga presidenti i Ukrainës që sa më shpejt të marrë një vendim lidhur me Kosovën.