Protestë në Beograd në mbështetje të serbëve të Kosovës, djegin flamurin e thërrasin "Kosova është Serbi"

Protestë në Beograd në mbështetje të serbëve

Qindra njerëz janë mbledhur të hënën në Beograd, për të protestuar “si shenjë mbështetjeje për serbët” në Kosovë.

Protesta është zhvilluar përpara Kishës Shën Sava.

Thirrja për protestë është bërë e ditur në rrjetin social Telegram, te kanalet e disa organizatave të krahut të djathtë në Serbi.

Një prej organizatorëve - me maskë në fytyrë - i ka thënë audiencës se nuk dëshiron të bëjë të ditur identitetin, por është nga Kosova.

Ai i ka thënë turmës se nuk dëshiron “Asociacion të komunave me shumicë serbe” dhe që Kosova është pjesë e Serbisë.

Protestuesit kanë kënduar këngë për Kosovën dhe këngë nënçmuese për shqiptarët në Kosovë.

Ata kanë bërtitur “serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë” si dhe “jo ndasive, Kosova është pjesë e Serbisë”.

Ata kanë bartur flamuj të Serbisë dhe Rusisë, si dhe mbishkrimet “Kosova nuk dorëzohet”.

Protestuesit kanë lëvizur edhe te rrugët e qendrës së qytetit, të cilat janë mbyllur për trafikun.

Protestë në Beograd në mbështetje të serbëve

Ata e kanë djegur flamurin e Kosovës përpara Presidencës së Serbisë, raporton REL.

Protestuesit më pas kanë thënë se janë në pritje “të përgjigjes së shtetit”.

Protestat në Beograd janë mbajtur në kohën e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Disa serbë lokalë në veri të Kosovës, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Kjo ishte përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë.

Atij më vonë i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Protestë në Beograd në mbështetje të serbëve