Studimi i gazetarit: Budapesti mund të kthehet në një qendër spiunazhi rus
Hungaria duket se është kthyer në një vend të sigurt për spiunët rusë që të veprojnë. Së fundmi forcat speciale ukrainase arrestuan një agjent rus në kufirin me Hungarinë. Ky person kishte informacione sekrete që do të dërgoheshin në Hungari dhe sipas gazetarit investigative që ka ndjekur rastin, Budapesti mund të kthehet në një qendër spiunazhi të Rusisë në BE.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban njihet për marrëdhëniet e ngushta me presidentin Putin. Por, edhe pse sanksionet e BE-së janë bllokuar herë pas here nga vetë Orban, duket se agjentët rusë në Hungari gjejnë terren të lirë për të vepruar.
Në fund të nëntorit 2022 forcat speciale ukrainase arrestuan një agjent rus në kufirin me Hungarinë. Ky person kishte informacione sekrete që do të dërgoheshin në Hungari të memorizuara në një "USB".
Aty gjendeshin informacione të vjedhura personale për drejtuesit dhe personelin e shërbimit informativ ukrainas, SBU dhe shërbimin ushtarak, GRU si edhe informacione sekrete për baza ushtarake, armë dhe logjistikën e ushtrisë ukrainase.
Më vonë u zbuluar se ky spiun do t'i dorëzonte këto informacione tek ambasada ruse në Budapest.
Arrestimin e spiunit e bëri public Gazetari Szabolcs Panyi për portalin Balkan Insight. Ai prej kohësh ka studiuar për aktivitetet ruse të spiunazhit në Hungari, dhe shprehet se ka frikë, që Budapesti mund të kthehet në një qendër spiunazhi të Rusisë në BE.
Aktualisht punojnë 50 diplomatë të akredituar në kryeqytetin hungarez, kurse në Pragë Bratislavë e Varshavë së bashku jo më shumë se 20 vetë.
"Dihet që shumë agjentë punojnë të maskuar si diplomatë, pasi gëzojnë imunitet dhe nuk lejohet të përndiqen nga autoritetet e vendit mikpritës", thotë gazetari.
