Stoltenberg parashikon përkeqësim: Lufta në Ukrainë mund të ҫojë në konflikt të drejtpërdrejtë Rusi-NATO

Kreu i NATO-s ka bërë një parashikim ogurzi në lidhje me vazhdimësinë e konfliktit. Stoltenberg tha se Rusia dhe Aleanca janë drejt përplasjes së drejtpërdrejtë ushtarake.

Jens Stoltenberg ngriti alarmin rreth përshkallëzimit të luftës teksa theksoi se konflikti në Ukrainë mund të shpërthejë në një përplasje të drejtpërdrejtë Rusi-NATO.

"Kam frikë se lufta në Ukrainë do të dalë jashtë kontrollit dhe do të bëhet një luftë e madhe midis NATO-s dhe Rusisë. Nëse gjërat shkojnë keq, ato mund të shkojnë tmerrësisht keq," tha ai.

Sekretari i përgjithshëm i Aleancës i bëri këto komente gjatë një interviste për mediet norvegjeze.

Zoti Stoltenberg tha se NATO po punonte për të parandaluar një konflikt të gjerë.

"Detyra më e rëndësishme e NATO-s është të parandalojë një luftë në shkallë të gjerë në Evropë, dhe kjo është diçka për të cilën ne punojmë çdo ditë," tha ai.

Kreu i bllokut të Atlantikut të Veriut, paralajmëroi presidentin Putin se do të vepronte në përputhje me Kushtetutën e NATO-s nëse do të ndodhte ndonjë incident mes Moskës dhe një vendi anëtar të Aleancës.

"Putin e di se NATO është një për të gjithë dhe të gjithë për një. Sipas nenit 5 të Aleancës, sulmi ndaj një vendi anëtar do të jetë një sulm kundër të gjithëve," tha ai.

Moska komentoi situatën e konfliktit këtë muaj duke pretenduar se NATO është e përfshirë drejtpërdrejt në luftën kundër Rusisë në Ukrainë.