Dyshime për korrupsion në Parlamentin Evropian, sekuestrohen 600 mijë euro

Policia belge ka vënë në pranga një prej zëvendëspresidentëve të Parlamentit Evropian pas dyshimeve për ryshfet nga shteti i Katarit në lidhje me kampionatin botëror që është duke u mbajtur.

Autoritetet belge kanë vënë në pranga Eva Kailin, një eurodeputete greke.

Arrestimi i 44-vjeçares është si pjesë e një hetimi masiv policor pas dyshimeve se organizatori i Kupës së Botës, Katari iu ka dhënë ryshfet disa politikanëve të BE-së.

Sipas autoriteteve në Bruksel, Katari ka ndikuar te eurodeputetët përmes shumave të mëdha të parave ose dhuratave materiale te palët e treta të cilët kanë ndikim te zyrtarët e BE-së.

Policia ka konfiskuar mbi 600,000 euro para kesh, pajisje kompjuterike e telefona celularë.

Eurodeputetja e partisë së PASOK kundërshtoi një rezolutë të PE-së muajin e kaluar e cila e dënonte Katarin për vdekjen e punëtorëve që ndërtonin stadiumet e Kupës së Botës dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut.

Ajo kishte vizituar Katarin më herët në nëntor, duke u takuar me ministrin e punë në Doha, ndërsa përcolli urimet më të mira të BE-së për turneun.

PASOK reagoi menjëherë pas lajmit dhe njoftoi se e kishte përjashtuar 44-vjeçaren nga partia.