Zjarrfikësit përdorën 45.425 litra ujë për ta shuar një Tesla Model S
Një veturë elektrike Model S e Teslas mori flakë në një rrugë në Pensilvani, SHBA.
Pas marrjes së njoftimit zjarrfikësve iu desh të përdornin një sasi të madhe uji për ta shuar atë.
Ngjarja ndodhi në Pensilvaninë qendrore. Fatmirësisht, askush nuk u lëndua në incidentin.
Gjithçka nisi kur mjeti u godit. Sipas njërit prej pasagjerëve, pasi objekti goditi pjesën e poshtme të Model S, nga automjeti filloi të dilte tym. Shoferi u tërhoq shpejt dhe të tre pasagjerët, dhe qeni i tyre, dolën shëndoshë e mirë nga makina.
Kur kanë mbërritur dy zjarrfikës kanë përdorur 15.141 litra ujë. Mirëpo, kjo nuk ka mjaftuar për shuarjen e zjarrit, kështu që në ndihmë kanë dalë edhe tre njësi të tjera zjarrfikëse. Zjarri më në fund u shua dhe zjarrfikësit përdorën gjithsej 45.425 litra ujë. Për krahasim, shuarja e zjarrit në një veturë standarde në përgjithësi kërkon më pak se 2000 litra.
"Për shkak të baterisë litium-jon, nevojitej më shumë ujë, zjarri shpërtheu disa herë. Ekuipazhet punuan për gati dy orë dhe vazhdimisht derdhën ujë në automjet. Bateria ruante temperaturë të lartë", thanë zjarrfikësit.
Veturat Tesla nuk janë të vetmet elektrike që kërkojnë përpjekje shtesë nga zjarrfikësit nëse marrin flakë dhe arsyeja janë bateritë e tyre litium-jon. Megjithatë, veturat elektrike përfshihen në më pak incidente të lidhura me zjarrin në krahasim me hibridet dhe automjetet me motorë me djegie të brendshme.
