Tërmeti në Indonezi, qeveria do të kompensojë të afërmit e personave që humbën jetën
Indonezia do të kompensojë familjet e personave që humbën jetën nga tërmeti i së hënës. Deri tani 252 persona raportohet se kanë humbur jetën ndërsa qindra të tjerë kanë ngelur të plagosur.
Qeveria indoneziane ka thënë se do të kompensojë familjet e 252 personave që humbën jetën në tërmetin e 21 nëntorit.
Presidenti i vendit, Xhoko Uidodo vizitoi vendin ku ishte epiqendra e tërmetit në perëndim të ishullit Xhaua dhe urdhëroi ekipet e kërkim-shpëtimit që të vijojnë punën për të nxjerrë njerëzit e bllokuar nëpër rrënoja.
Nga tërmeti i fuqishëm që goditi ishullin indonezian krahas humbjes së jetës së 252 personave u plagosën qindra të tjerë.
Mijëra banesa u raportuan të dëmtuara ose të shembura.
Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së tha se tërmeti prej 5.6 ballësh kishte epiqendër rajonin Cianjur.
Indonezia ka parë tërmete edhe më të fuqishëm.
Në vitin 2018 vendi u godit nga një tërmet i cili shkaktoi edhe cunami duke shkaktuar vdekjen e mbi 220 personave.
Cunami i vitit 2004, i shkaktuar nga një tërmet pranë ishullit indonezian të Sumatrës, vrau 226.000 njerëz në gjithë Oqeanin Indian, përfshirë mbi 120.000 në Indonezi.
Vendi prej 260 milionë personash goditet shpesh nga tërmetet, shpërthimet vullkanike dhe cunamet për shkak të vendndodhjes së saj në të ashtuquajturën Unaza e Zjarrit që është një hark vullkanesh dhe pllakash tektonike në Paqësor.