Gjykata e Afrikës së Jugut liron me kusht vrasësin e liderit anti-aparteid, Chris Hani

Gjykata e lartë e Afrikës së Jugut ka urdhëruar lirimin me kusht të njeriut të dënuar për vrasjen e liderit anti-aparteid, Chris Hani, një vrasje që kërcënoi të zhyste vendin në dhunë politike përpara tranzicionit të tij në demokraci.

Janusz Waluś, 69 vjeç, vrau Hanin, një udhëheqës jashtëzakonisht popullor i partisë komuniste, një vit përpara zgjedhjeve të para shumëracore të Afrikës së Jugut. Ai u dënua me burgim të përjetshëm dhe kërkesat e tij për lirim me kusht janë refuzuar nga disa ministra të drejtësisë.

Por të hënën, shefi i gjykatës kushtetuese Raymond Zondo urdhëroi ministrin e drejtësisë Ronald Lamola që ta vendosë Walusin "në lirim me kusht".

Hani ishte sekretari i përgjithshëm i Partisë Komuniste të Afrikës së Jugut (SACP).

Waluś emigroi në Afrikën e Jugut nga Polonia e atëhershme komuniste në 1981 . Bashkëpunëtori i tij, Clive Derby-Lewis, i cili mundësoi armën që qëlloi Hanin, u lirua në vitin 2015 me kusht mjekësor pas 22 vitesh burg. Ai vdiq nga kanceri në mushkëri në vitin 2016, në moshën 80-vjeçare.