Marrëveshja historike për klimën, vendet që ndotin më shumë do paguajnë dëmet për vendet e varfëra

Samiti i këtij viti në Egjipt solli një marrëveshje të rëndësishme për krizën klimatike në botë, ku vendet e pasura do të ndihmojnë vendet e varfra në raste krizash. Ndërkohë, në rrafshin politik, amerikanët dhe kinezët ranë dakord për të përballuar bashkë këtë sfidë që prek gjithë njerëzimin.

Ndryshimet klimatike janë një sfidë me të cilën po përballet gjithnjë njerëzimi, pavarësisht ndasive të ndryshme që ka sot bota.

Këtë të dielë është arritur një marrëveshje historike. Shumica e vendeve të botës firmosën në Egjipt, gjatë samitit të rëndësishëm të klimës për të krijuar një fond për dëmet e ndryshimeve klimatike, ku vendet më të pasura në botë, emetuesit më të mëdhenj të karbonit, do të dëmshpërblejnë vendet në zhvillim.

Angazhimi që është ndërmarrë edhe nga Amerika dhe Kina, si edhe vendet e BE-së, vjen pas bisedimeve dy-javore së në Sharm El Sheik dhe është suksesi i një fushate 30-vjeçare nga vendet e varfra që thonë se ata janë më pak përgjegjësit për krizën klimatike.

Vendet më pak të zhvilluara të botës dhe shtetet e vogla ishullore do të marrin mbështetje për dëmet dhe fatkeqësitë e ardhshme si stuhitë, përmbytjet dhe thatësirat, që janë përkeqësuar prej krizës së klimës.

Çështja se kush paguan do të zgjidhet vitin e ardhshëm, ndërsa “vendet e cenueshme dhe në zhvillim” – siç u propozua nga BE-ja, do të përfitojnë.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres përshëndeti vendimin për të krijuar një fond humbjesh dhe dëmesh "dhe për ta funksionalizuar atë më vonë".

Ajo që është e rëndësishme nga ky samit, pas kësaj marrëveshjeje, është edhe partneriteti amerikano – kinez për të trajtuar krizën klimatike.