Rindërtimet për vota, pa izolim sizmik, inxhinierët: Rikonstruktimi i ndërtesave s’i siguron ato

I përdorur nga qeveria për fushatë elektorale si në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar por edhe në funksion për fushatën e ardhshme zgjedhore për bashkitë, procesi i rindërtimit nga qeveria rezulton me problem. Inxhinierë nga Shqipëria dhe Japonia thonë se izolimi sizmik i ndërtesave nuk është aplikuar në projektet e zhvilluara në vendin tonë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.



Ndërtesat të cila po rikonstruktohen nga qeveria pas tërmetit të 2019 nuk kanë izolim sizmik. Është ky përfundimi i arritur nga inxhinierë shqiptarë gjatë një dëgjese të përbashkët me ekspertë nga Japonia.

Kjo i bën ato përsëri të rrezikuara nga çdo lëkundje sizmike.

Inxhinieri Luan Myrtaj, thotë se në Durrës më së shumti janë bërë riparime të fasadave.

“Për ndërtesa te vjetra, që janë përforcuar dhe janë meremetuar me bojë e fasada, ato mund të kenë probleme shumë të rënda.”

Kreu i shoqatës së sizmologjisë Agim Seranaj thotë se në Shqipëri po ndërtohet ende me teknologjinë e vjetër.

“Në muajin nëntor 2019 patëm tërmetin e fundit dhe përforcimi i objekteve u bë në mënyrë tradicionale dhe jo në mënyrë moderne.”

Edhe projektet e rindërtimit, nuk kanë një izolim sizmik, ato janë të ndërtuara me sipas metodave të vjetra.

“Sot ndërtojmë në mënyrë tradicionale që forcat sizmike i përballon ndërtesa dhe nuk i shuajmë këto forca. Ndërtesa e reja nuk e kanë këtë gjë edhe pse është rritur cilësia e materialeve.”

Nëse një ndërtesë do të bëhet më këtë teknologji të re, atëherë kostoja për një apartament nuk do të kalonte më shumën 1% e vlerës.

Dëgjesa në fjalë u organizua në kuadër të 100 vjetorit bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Japonisë.

Procesi i rindërtimit nga qeveria është përdorur  nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama për fushatë elektorale si në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar por edhe në funksion për fushatën e ardhshme zgjedhore për bashkitë.