Hasimja: Berisha do sulmojë Bashën për aq kohë sa e shikon të rrezikshëm, mund ta dëmtojë por jo ti marrë PD

Akuzat se PD financohej nga paratë ruse në kohën kur ishte drejtues i selisë blu nuk dhanë asnjë efekt tek Lulzim Basha por akuzat e kreut të PD-së, Sali Berisha, për përfshirjen e tij në aferën e portit të Durrësit duket se i kanë prishur rehatinë.

Politologu, Ermal Hasimja, në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj thotë se Berisha do të sulmojë Bashën për aq kohë sa e konsideron të rrezikshëm si personazh.

Hasimja: Berisha mund ti kthehet Bashës për aq kohë sa e shikon ende të rrezikshëm si personazh, ndoshta jo tani por në një moment të dytë, sidomos në kuadër të çështjeve të pazgjidhura juridike në raport me PD. Për aq kohë sa e konsideron të rrezikshëm do të merret me të, në momentin e parë që nuk do ta konsiderojë thjesht do ta harrojë.

Nuk ka kohë lideri i opozitës të merret me gjëra të tilla, ka halle shumë më të mëdha se kaq.Në politikë nuk ka rëndësi që kundërshtari të të mposhtë ty, mjafton të të prishë punë aq sa duhet. Frika e Berishës është që Basha mund ta dëmtojë por jo që mund ti marrë demokratët në terësi apo PD në terësi.

Duke analizuar protestën e të shtunës, Hasimja thotë  se opozita ja doli të japë një lloj dëshmie se është akoma e fortë dhe e fuqishme.

Hasimja: Është e qartë se qeveria nuk rrëzohet me protesta. Është më tepër një përpjekje e opozitës për të treguar forcën e vetëm dhe për t'ja treguar në radhë të parë të vetëve që të krijojë një lloj besimi për betejat e ardhshme elektorale.Opozita ja doli të shtunën të japë një lloj dëshmie se është akoma e fortë dhe e fuqishme.

Megjithatë në gjykimin e tij ajo ka një sfidë më të madhe se kaq.

Hasimja: Opozita do duhet të dëshmojë se jo thjesht është në gjendje të mobilizojë militantët e vet por në radhë të parë tu ofrojë qytetarëve shqiptarë besueshmëri për ato gjëra që premton. Nëse bën premtime që janë të pabesueshme për njerëzit në vend që ti tërheqësh i ftoh.

Psh opozita gjatë gjithë këtyre viteve ka ofruar rrogë minimale 400 euro, në zgjedhjet e fundit parlamentare. Rroga minimale 400 euro në Shqipëri nëse do të zbatohej sot do të falimentonte gjysmën e ekonomisë shqiptare, është totalisht e pazbatueshme. Opozita kur bën ofertën e saj duhet të jetë e besueshme në dy nivele, në nivelin e realizueshmërisë dhe burimeve njerëzore.