Lapaj: Nuk ishte protestë ajo e opozitës, por një miting partiak, test para zgjedhjeve lokale

Në “Drejt” nga Luan Rama në RTV Ora, avokati dhe aktivisti Adriatik Lapaj u shpreh se tubimi i opozitës nuk ishte protestë, por ishte një miting politik.

Sipas tij, protesta ka kërkesa, ndërsa ajo e opozitës ishte një test politik para zgjedhjeve, pasi opozita është në një moment kritik.

Lapaj: Ishte miting, sepse protesta ka kërkesa. Ishte një miting i madh partiak, që mendoj se nuk ishte i keq dhe që tregon së opozita ishte aty. Ky mund të jetë një test para zgjedhjeve për opozitën politike, që ndodhet në një moment shumë kritik. Po vijnë zgjedhjet dhe ato nuk fitohet me mitingje, por me alternativë dhe ofertë më të mirë.

Unë shoh që ka shumë “una” dhe ego të shfrenuara. Jemi në një fazë që duhet një bashkim për një ofertë, sepse kur qytetarët shohin sherr nga mëngjesi në darkë, për qytetarin nuk është joshëse. Është një mesazh i gabuar. Përçarja do të çojë në një rezultat që do tu ngelet në kurriz shqiptarëve.