Murrizi: Protesta e të shtunës madhështore, Rama i lidhur me rublat gjenetikisht

Për ish-deputetin Myslim Murrizi protesta e të shtunës përmbushi objektivin e opozitës për të mobilizuar mbështetësit e saj.

Në një intervistë për Rtv Ora, anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së thotë se do të donte të shihte manifestime qytetare, jashtë kthetrave të politikës, por shoqërinë shqiptare e sheh akoma të pamaturuar në këtë drejtim.

Murrizi: Protesta ishte madhështore duke parë dhe kushtet në të cilat jemi. Asnjë protestë nuk të sjell në pushtet. PD në historikun e saj 32-vjeçar një protestë të dhunshme ka bërë, 14 shtatori 1998. PS ka disa. Do të doja shumë që protestat në këtë keqqeverisje, këtë grabitje, në këtë arrogancë, makuteri, bastardim që drejtohen shqiptarë të kishte protestë jashtë kthetrave të politikës. Por ndoshta nuk jemi pjekur akoma si shoqëri. Unë për një grusht votash më shumë nuk bëj hipokritin që të them nuk ka faj populli. Vdesim si qytetarë të shkojmë si vasalë te politika. Do të doja të kishte një nerv qytetar për të reaguar ndaj kujdo qeverie që mashtron dhe vjedh qytetarët e saj.

E ndërsa Rama vijon akuzat për rublat ruse dhe organizatorët e protestës i etiketon si njerëz pa fe dhe pa atdhe, Murrizi ka këtë koment.

Murrizi: Të më flasësh për fe, për atdhe, për familje dhe për flamur dhe më merr model Ramën është si puna e atij që ka punuar 30 vjet në semafor në Itali dhe vjen e shan gratë e fshatit.Nuk e di çfarë feje ka Rama kur ka ndërruar publikisht katër herë fenë. Po të jetë për rubla, Rama është i lidhur edhe gjenetikisht me rublat. Prindërit e tij janë shkolluar te rublat, babai im jo ka qenë traktorist, as babai i Berishës jo. Është fyt më fyt për vete.

Zgjedhjet lokale janë afër dhe PD duket se do të shkojë me dy palë lista para votuesve.

Murrizi është dyshues nëse grupi i Alibeaj do të mund të gjejë 61 kandidatë për kryebashkiakë por i sigurt është se nga 15% që ishin në 6 mars do të rrudhen në 3% në 14 maj.

Murrizi: Ju garantoj që 14 maji i 2023 nëse ai 15% i 6 marsit do të ketë kandidatë do të jetë më pak se 3%, nëse do ketë kandidatë. Duke parë frymën unë nuk besoj se këta gjejnë kandidatë për 61 kryetarë bashkie, për këshilltarë nuk bëhet fjalë. Politika është përfaqësim, sa këllqe dhe vota ke pas. Pa vulë ishte PD në 6 mars që mori bashkinë e Shkodrës, këta kishin vulën dhe Lulin bashkë dhe nuk gjenin dot komisionerë.