Garë e ngushtë për senatin: Arizona, Xhorxhia dhe Nevada janë ende të hapura
Pas zgjedhjeve të së martës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ende nuk dihet se kush do të ketë kontrollin e Kongresit Amerikan, do të jenë republikanët që do të marrin, apo demokratët e Presidentit Joe Biden. Gjithçka pritet të vendoset nga rezultatet në Arizona, Xhorxhia dhe Nevada ku garë mbetet ende e hapur.
Ashpërsohet gara për Senatin amerikan mes demokratëve dhe republikanëve, teksa mbeten ende disa shtete kyçe.
Rezultatet do të përcaktojnë ulëset në dy institucionet e Kongresit, që janë Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati amerikan. Sipas mediave amerikane në Dhomën e Përfaqësuesve më së shumti ulëse kanë fituar republikanët, gjithsej 199, kundrejt demokratëve që kanë marrë 168.
Demokrati John Fetterman ka shpallur fitoren në Pensilvani dhe nëse ai shpallet fitues në këtë shtet do të ishte një fitore e rëndësishme për demokratët në Senat. Me fitoren e Fettermanit, demokratët deri më tani kanë fituar 48 ulëse në Senat, sa kanë edhe republikanët.
Ndërkaq, sa i përket ulëseve në senat, gara në Arizona, Xhorxhia dhe Nevada është ende e hapur. Xhorxhia mund të shkojë në balotazh më 6 dhjetor, dhe ky shtet mund të jetë kyç për të përcaktuar balancën në Senat.
Sondazhet kanë treguar para zgjedhjeve se ka pasur një rënie të vlerësimit për punën e Bidenit dhe votuesit kanë qenë të zemëruar për shkak të nivelit të inflacionit. Megjithatë, republikanët, si senatori Lindsey Graham, presin që të fitojnë shumicën në Senat.
“Mendoj se kur do të përfundojë gara ne do të kemi 51 apo 52 ulëse”, tha ai.
Megjithatë, nëse dy partitë, ajo demokrate dhe republikane do të kenë numrin e njëjtë të ulëseve në Senat, atëherë demokratët do të marrin shumicën, për shkak të ulëses së nënpresidentes amerikane, Kamala Harris.
Edhe me një shumicë të ngushtë të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, do t’iu mundësonte atyre të bllokonin prioritetet e Bidenit.
Mbi 46 milionë amerikanë kanë votuar para ditës së zgjedhjeve, qoftë përmes postës, apo votimit në qendra të votimit. Ndëkrohë, zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se numërimi i këtyre votave do të marrë kohë.