Republikanët në Kongres, e djathta është zotuar të ndërpresë ndihmat ushtarake për Ukrainën

Një Kongres i kontrolluar nga republikanët mund të ketë pasoja domethënëse për Bashkimin Evropian. Ai mund të afektojë financimin e mëtejshëm ushtarak të Ukrainës si dhe të forcojë lidhjet me liderët konservatorë në vendet e BE-së. Një tjetër pikë mund të jetë edhe frenimi i mbështetjes së Uashingtonit për agjendën e gjelbër të BE-së lidhur me ndryshimet klimatike.

Rikthimi i mundshëm i republikanëve në Kongres ka ringjallur ankth nëpër kryeqytetet evropiane.

Zyrtarët e BE-së janë duke vuajtur nga kujtimet e epokës Trump, kur 76-vjeçari u tërhoq nga Marrëveshja e Parisit për klimën si dhe kërcënimet e vazhdueshme të ish-presidentit për të hequr dorë nga Aleanca e NATO-s.

Shumica e kandidatëve që po garojnë në zgjedhjet afatmesme u zgjodhën me mbështetjen e Donald Trump i cili ka eklipsuar rolin e Partisë Republikane, me atë që ai e quan lëvizja MAGA, ose Make America Great Again, që nënkupton rilulëzimin e vendit.

Politika populiste dhe anti-elitë e Trumpistëve shkon kundër parimeve aktuale të unionit evropian të cilët janë mbështetës të lëvizjeve woke të cilat karakterizohen nga grupet paragjykimeve dhe kundër diskriminimit racor.

Sa i përket kontinentit evropian, rezultatet mund të ndikojnë në politikën e jashtme të SHBA-së në mbështetjen amerikane për Ukrainën dhe kalimin në energji të pastër.

Kontrolli i Kongresit mbi shpenzimet do të jetë më i rëndësishmi, edhe nëse republikanët marrin vetëm Dhomën e Përfaqësuesve.

Republikanët, mbështetës të Trump do ta bënin sfiduese miratimin e mëtejshëm të ndihmave ushtarake e financiare për Ukrainën.

Aleatja e Trump, Marjorie Taylor Greene sinjalizoi se Ukraina nuk do të merrte më asnjë qindarkë nëse ata do të merrnin kontrollin e Kongresit.

Nëse republikanët marrin pushtetin do të rrisnin presionin mbi aleatët e saj evropianë për të rritur masivisht mbështetjen e tyre financiare për shpenzimet e mbrojtjes në kuadër të forcimit të NATO-s.

Një Kongres i kontrolluar nga republikanët ka shumë të ngjarë të marrë një kurs të ndryshëm për tranzicionin e energjisë dhe sigurinë energjetike.

Republikanët theksojnë rrezikun dhe efektet e de-industrializimit në Evropë.

Ata do të ushtronin presion ndaj vendeve të unionit për të prodhuar energjinë bërthamore dhe lëndët djegëse fosile duke shtyrë vendet e BE-së që t’i rikthehen kërkimit të naftës dhe gazit me shpim i cili është i ndaluar në shumë shtete të kontinentit.

Ata mund të vështirësonin shpenzimet për bashkëpunimin për klimën përtej fondeve të siguruara tashmë përmes Aktit për Reduktimin e Inflacionit.

Një Kongres Republikan do të dëshironte të kishte të bënte më shumë me shtete si Hungaria, Polonia apo edhe Italia së fundmi ku mbizotërojnë vlerat konservatore dhe e djathta ekstreme përkundrejt vendeve kryesore perëndimore të unionit të cilat kanë frymë progresiste të majtë.