Zgjedhjet afatmesme në SHBA, Biden: Votoni! Ka ardhur koha të mbrojmë demokracinë
Amerikanët do të votojnë sot për zgjedhjet afatmesme. Presidenti Joe Biden ka bërë thirrjen e fundit për kandidatët demokratë në prag të zgjedhjeve afatmesme të së martës, zgjedhje që sondazhet tregojnë se mund të përmbysin pushtetin në Uashington.
Amerikanët do të votojnë sot për zgjedhjet afatmesme që mund të vendosin të ardhmen politike të presidentit amerikan Joe Biden dhe paraardhësit të tij, Donald Trump, i cili po përgatitet të shpallë kandidaturën pas dy vitesh.
Demokratët e Bidenit po përballen me sfidën e mbajtjes së kontrollit të Kongresit pas një fushate që Presidenti e ka quajtur një moment “përcaktues” për demokracinë amerikane, ndërsa republikanët e Trump kanë ngritur çështje shqetësuese për qytetaret, si inflacioni dhe krimi.
Ndërkohë teksa ndodhej në Maryland, presidenti Biden u ndal te demokracia. Ai tha se demokracia është në rrezik dhe ka ardhur koha për ta mbrojtur atë. Biden ju drejtua njerëzve në mitingun e tij të fundit përpara votimit, se Fuqia e Amerikës është në duart e popullit.
Miliona amerikanë votojnë në zgjedhjet për legjislativin, që përcaktojnë trajtën filozofike të Kongresit dhe tonin për debatin politik në Uashington, përgjatë gjysmës së dytë të mandatit katërvjeçar të Presidentit Joe Biden.
Votohet për të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, 435, si dhe për 35 nga 100 vendet në Senat. Mbi 42 milionë persona kanë votuar tashmë nëpërmjet votimit të hershëm në person apo me postë.
