Lufta në Ukrainë, Kievi: Gati për bisedime me Rusinë por jo me Putin President! Reagon Moska

Duke ju përgjigjur thirrjeve nga Perëndimi për të nisur bisedimet me Moskën dhe pas qëndrimit të Kremlinit se dialogu do të zhvillohet kur Rusia të vendosë, këshilltari i shefit të zyrës së presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podolyak, komentoi raportimin e gazetës Washington Post.

Sipas botimit, SHBA-të do të insistojnë në mbajtjen e bisedimeve të paqes nëse ushtria ukrainase rimerr kontrollin e Khersonit dhe kjo do të lejojë që dialogu të zhvillohet nga një pozicion fuqie.

Duke komentuar publikimin, Podolyak shkroi në Twitter:

“E rëndësishme: Ukraina nuk i ka refuzuar kurrë bisedimet. Qëndrimi ynë është i njohur dhe i hapur. Së pari, tërheqja e trupave nga tokat tona, së dyti është e gjithë pjesa tjetër. A është Putin gati për këtë? Sigurisht që jo. Meqenëse gjërat janë kështu, atëherë sipas vlerësimit tonë konstruktiv do të flasim me liderin e ardhshëm të Rusisë”.

Peskov i përgjigjet Perëndimit

"Ne jemi të hapur për bisedime, por jo në momentin e caktuar", ishte përgjigja e Kremlinit pas thirrjeve perëndimore për përfshirjen e Kievit në negociatat e paqes.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha në mënyrë specifike se Rusia është e hapur për dialog me Ukrainën, por jo në këtë moment.

“Ne kemi theksuar vazhdimisht se pala ruse mbetet e hapur për arritjen e qëllimeve të saj përmes bisedimeve”, tha Peskov.

“Ne gjithashtu e kemi bërë të qartë se nuk shohim mundësi për dialog në këtë moment”, përfundoi ai.

Perëndimi i kërkon Kievit të fillojë bisedimet e paqes me Moskën

Ndërsa Rusia përshkallëzon veprimet e saj agresive, Perëndimi po i bën thirrje Ukrainës që të përfshihet në bisedimet e paqes.

Pasi SHBA inkurajoi Ukrainën të tregonte se ishte e hapur për negociata, një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se i takon Kievit të vendoste se kur do të zhvillonte bisedime me Rusinë.

Gazeta Washington Post shkroi pak orë më parë se refuzimi i Zelenskyt për të biseduar me Putinin krijoi shqetësim në vendet evropiane dhe SHBA po i bën thirrje Kievit të tregojë fleksibilitet për të mos humbur mbështetësit e tij.

Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas pranuan se refuzimi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për të zhvilluar bisedime me presidentin rus Vladimir Putin ka shkaktuar shqetësim në disa vende në Evropë, Afrikë dhe Amerikën Latine, ku efektet e luftës në ushqim dhe karburant janë më të dukshme.

Zelensky nënshkroi një dekret më 4 tetor duke e quajtur zyrtarisht perspektivën e çdo bisedimi me Putinin "të pamundur", por duke e lënë të hapur derën për bisedime me Rusinë.

"Asnjë koment" për bisedimet sekrete të Uashingtonit me Putin

Kremlini nuk pranoi të komentojë mbi një raport të Wall Street Journal (WSJ) se Uashingtoni zhvilloi bisedime të klasifikuara me zyrtarë të lartë rusë për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm në luftën në Ukrainë.

Sipas raportit, këshilltari presidencial i SHBA-së për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, ka zhvilluar bisedime me këshilltarët e presidentit Vladimir Putin me shpresën për të reduktuar rrezikun e përhapjes ose përshkallëzimit të luftës në Ukrainë në një konflikt bërthamor.

"Ne nuk kemi asgjë për të thënë për këtë raport," u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Ai gjithashtu refuzoi të komentojë një raport të Washington Post se Shtetet e Bashkuara po e inkurajojnë privatisht Ukrainën që të tregojë se është e hapur për negociata me Rusinë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky përjashtoi negociatat përsa kohë Putini është në pushtet.

"Epo, ne nuk e dimë nëse kjo është e vërtetë apo jo," tha Peskov.

"E përsëris edhe një herë se ka disa raporte të vërteta, por në pjesën më të madhe ato raporte janë thjesht spekulime," tha ai, duke iu referuar gazetarëve të kontaktojnë Shtëpinë e Bardhë ose vetë gazetën.

Ai shtoi se ndërsa Rusia mbetet "e hapur" për bisedime, ajo nuk mund të negociojë me Kievin për shkak të refuzimit të këtij të fundit për të zhvilluar bisedime me Rusinë.

Pak kontakte të nivelit të lartë midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë janë bërë publike muajt e fundit, pasi Uashingtoni këmbëngul se çdo bisedim për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë duhet të mbahet midis Moskës dhe Kievit.