Zgjedhjet në Brazil: Lula bën një rikthim mahnitës në pushtet
Brazili ka marrë një kthesë në të majtë pasi ish-presidenti Luiz Inácio Lula da Silva mundi në zgjedhjet presidenciale presidentin aktual të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro.
Pas një fushate përçarëse, e cila pa dy rivalë të hidhëruar me njëri-tjetrin në anët e kundërta të spektrit politik, të shkojnë kokë më kokë. Lula fitoi 50.9% të votave.
Është një rikthim mahnitës për një politikan që nuk mundi të kandidonte në zgjedhjet e fundit presidenciale në 2018 sepse ishte në burg dhe i ndalohej të kandidonte për postin në fjalë.
Ai ishte shpallur fajtor për marrje ryshfeti nga një firmë ndërtimi braziliane në këmbim të kontratave me kompaninë shtetërore braziliane të naftës të quajtur Petrobras.
Lula kaloi 580 ditë në burg para se dënimi të hidhej poshtë dhe ai t'i rikthehej përplasjes politike.
"Ata u përpoqën të më varrosnin të gjallë dhe ja ku jam," tha ai, teksa niste fjalimin e tij të fitores.
Sondazhet sugjeruan që në fillim se ai do të fitonte zgjedhjet, por kur epërsia e tij në raundin e parë ishte shumë më e ngushtë se sa parashikohej, shumë brazilianë filluan të dyshonin në saktësinë e tyre.
Mbështetësit e Jair Bolsonaro, të inkurajuar nga pretendimet e kandidatit të tyre se "stabiliteti" dhe media ishin kundër tij dhe për këtë arsye nënvlerësonin mbështetjen e tij, nuk e humbën besimin që kishin në fitoren e tij.

Fitorja e liderit të krahut të majtë ka të ngjarë të hasë probleme me simpatizantët e Bolsonaros, të cilët e etiketojnë në mënyrë rutinë Lulën "një hajdut" dhe argumentojnë se hedhja poshtë e dënimit të tij nuk do të thotë se ai ishte i pafajshëm, thjesht se nuk u ndoq procedura e duhur ligjore.
Dhe ndërsa Jair Bolsonaro ka humbur, ligjvënësit pranë tij fituan një shumicë në Kongres, që do të thotë se Lula do të përballet me kundërshtime të ashpra ndaj politikave të tij në organin legjislativ.
Por Lula, i cili shërbeu dy mandate në detyrë midis janarit 2003 dhe dhjetorit 2010, nuk është i panjohur për krijimin e aleancave politike.
Si zëvendës-president, ai zgjodhi ish-rivalin Geraldo Alckmin, i cili garoi kundër Lulës në zgjedhjet e mëparshme.
Strategjia e tij për të krijuar një ndjenjë "uniteti" duket se ka dhënë rezultat dhe ka tërhequr votuesit në tufë, të cilët zgjodhën të votojnë për Partinë e tij të Punëtorëve.
Në fjalimin e tij të fitores, ai pati një ton pajtues, duke thënë se do të qeveriste për të gjithë brazilianët dhe jo vetëm për ata që e mbështetën me votë.
"Ky vend ka nevojë për paqe dhe unitet. Kjo popullatë nuk dëshiron më të luftojë," tha ai.
Jair Bolsonaro nuk e ka pranuar ende humbjen. Fushata ishte tepër e tensionuar sepse presidenti i ekstremit të djathtë hodhi dyshime, pa ofruar asnjë provë, mbi besueshmërinë e sistemit elektronik të votimit në Brazil.
Kjo lindi dyshime se ai mund të mos e pranonte rezultatin nëse do të shkonte kundër tij.
Megjithatë, një ditë para raundit të dytë, ai deklaroi se: "Nuk ka as më të voglin dyshim. Kush ka më shumë vota, i fiton zgjedhjet. Këtë kërkon demokracia."
Në ditën e zgjedhjeve, autobusët që transportonin votuesit në qendrat e votimit u ndaluan nga policia, e kjo u komentua nga Lula se ishte një përpjekje për t'i penguar ata të votonin.
Kreu i gjykatës zgjedhore, Alexandre de Moraes, urdhëroi policinë e autostradës të heqë të gjitha bllokimet dhe kontrollet.
Ai tha se kishte vonesa, por asnjë votues asnjë nuk ishte penguar të votonte. Domosdo incidentet ngritën ndjeshëm tensionet.
Tani të gjithë janë në pritje se çdo të thotë Bolsonaro, pasi është zyrtare se ai i humbi zgjedhjet.
Zgjedhjet janë ndjekur nga afër jo vetëm në Brazil, por edhe jashtë saj, nga aktivistët mjedisorë veçanërisht, të shqetësuar se katër vitet e tjera të një qeverie Bolsonaro do të kishin çuar në shpyllëzim të mëtejshëm në pyjet tropikale të Amazonës.
Lula iu referua kësaj frike në fjalimin e tij të fitores, duke thënë se ai ishte "i hapur ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar për të mbrojtur Amazonën".
"Sot i themi botës se Brazili është kthyer. Është shumë e rëndë të dëbohesh nga ky rol i parisë globale," shtoi ai teksa hidhte kunja mbi rivalin e tij.
Por në qendër të fjalimit të tij ishte një premtim për të trajtuar urinë, e cila ka qenë në rritje në Brazil dhe që po prek më shumë se 33 milionë.
Çelësi i mbështetjeve ndaj Lulës gjatë dy mandateve të tij të para në detyrë ishte nxjerrja e miliona brazilianëve nga varfëria.
Por në një ekonomi post-pandemike, gjetja e financave për të rikapur atë arritje nuk do të jetë një detyrë e lehtë, veçanërisht nëse ai pengohet nga një Kongres armiqësor.
