Pezullohet plani për anulimin e borxheve për 22 milionë amerikanë
Një gjykatë federale e apelit urdhëroi bllokimin e planit të Presidentit Joe Biden për anulimin e miliarda dollarëve borxhe federale të studentëve.
Vendimi u dha ndërsa po shqyrton një padi nga gjashtë shtete të drejtuara nga zyrtarë republikanë për të bllokuar programin e anulimit të borxheve. Administrata e Presidentit Biden nuk mund ta vërë në zbatim programin ndërkohë që po shqyrtohet padia.
Urdhëri u dha vetëm pak ditë pasi filluan aplikimet e para për falje të borxheve studentore.
Nuk është e qartë se çfarë domethënie do të ketë ky vendim për 22 milionë personat që dëshirojnë të përfitojnë nga amnistia. Administrata kishte premtuar të mos anulonte borxhe përpara datës 23 tetor, ndërkohë që po përballej me sfida ligjore, por sidoqoftë data më e afërt kur mund të fillonte falja e borxheve pritej të ishte mesi i nëntorit.
Pikëpyetja kryesore tashmë është nëse çështja do të zgjidhet deri më 1 janar, kur pritet të rifillojnë pagesat për borxhet studentore që ishin pezulluar gjatë pandemisë.
Pritej që miliona amerikanëve t’iu anullohej plotësisht borxhi, por tashmë ata përballen me pasigurinë se mund ti duhet të rifillojnë pagesat në janar. Presidenti ka thënë se shtyrja e këtij afati nuk do të ndodhte më, por ekonomistët shqetësohen se shumë amerikanë mund të mos kenë rifituar sigurinë financiare pas përmbysjes që shkaktoi pandemia.
