Deputetët mundohen të frenojnë rikthimin e ish-kryeministrit Boris Johnson

Boris Johnson duket se po mendon për një rikthim në arenën politike britanike.

Armiqtë e tij brenda konservatorëve po bëjnë çmos që ta ndalojnë.

Ish-kryeministri britanik i shkarkuar vetëm tre muaj më parë pas një largimi masiv të stafit të tij qeverisës po synon që t’i rikthehet garës për t’u bërë lider i konservatorëve pas dorëheqjes të Liz Truss.

Me frikën e dështimit në zgjedhjet e ardhshme, një grup konservatorësh ende besojnë se Johnson është më i miri për t'i ndihmuar ata të mbajnë vendet e tyre në zgjedhjet e vitit 2024.

Por shumë figura të larta konservatore kanë frikë se rikthimi te

Johnson, tani një figurë jashtëzakonisht përçarëse, mund ta ndajë përgjithmonë partinë.

Dhe aktualisht po kryhet një punë e koordinuar për të ndaluar iniciativën e Johnson.

Deputetët e tij besnikë dikur, tani shprehen se partia do të copëtohet nëse Borisi vjen sërish në pushtet dhe kërcënojnë me dorëheqje.

Megjithatë edhe pa lobuar, shanset për rikthimin e ish-kryeministrit janë të pakta me rregullat e reja të vendosura për të zëvendësuar Truss.

Zyrtarët më të lartë të Partisë Konservatore shpalosën një plan për të penguar ish-kryeministrin.

Kushdo që dëshiron të marrë pjesë në garë tashmë ka nevojë për mbështetjen e të paktën 100 deputetëve.

Pragu është jashtëzakonisht i lartë për Boris Johnson për të kaluar kolegët e tij kundërshtarë që gjithashtu garojnë për kreun e partisë.