Festivali “Lumiere” në Francë: 150 filma përgjatë 9 ditëve

Lioni mirëpret një mori aktorësh dhe profesionistësh të filmit në Edicionin e 14-të të Festivalit Lumière, që këtë vit nderon  regjisorin  amerikan Tim Burton.

"Sot është kinemaja më e madhe në botë. Nuk do të ishte asgjë pa ju të gjithë, pa këtë publik që pëlqen ekranin e madh", tha Thierry Frémaux, drejtori i përgjithshëm i Festivalit, para afro 5000 shikuesve që u mblodhën në “Halle Tony Garnier”.

Mbrëmja filloi me një homazh për Jean-Luc Godard, i cili ndërroi jetë në shtator në moshën 91-vjeçare, me transmetimin e një fragmenti nga "Përçmimi" me Michel Piccoli (1963).

Programi elektrik i festivalit premton më shumë se 150 filma gjatë nëntë ditëve, me të ftuarit, regjisorin meksikan Guillermo del Toro i cili vjen për të prezantuar një pjesë nga "Pinocchio"I  tij i shumëpritur. Mbrëmjen e së shtunës, publiku duartrokiti fuqishëm regjisorin franko-grek Costa-Gravas dhe regjisorin Etienne Chatiliez, bashkë me aktoret Sabine Azéma, Marina Foïs, Leila Bekti etj.

Aktorja italiane Monica Belluçi mbajti një masterclass për edicionin e 14-të të festivalit, duke u shprehur e lumtur për këtë vlerësim: “Nuk e prisja gjithë këtë, ishte vërtet shumë emocionuese”, tha ajo. Ndërsa drejtuesi Thierry Fremaux, e konsideroi  "një personalitet të mrekullueshëm nga komuniteti i filmit".

Të premten e ardhshme, çmimi “Prix Lumière 2022”, vlerësimi më i madh i festivalit, do t'i jepet Tim Burton, 63- vjeçar. Disa nga filmat e tij të suksesshëm në 35 vite karrierë, janë:  "Batman",  "Dumbo", "BettleJuice", "Big Fish", "Sleepy Hollow ", "Alice in Wonderland" etj.