Tradita e tatuazhit të fytyrës/ Gratë indigjene në Kanada rikthejnë simbolikën e lashtë
Gratë indigjine në Kanada po rikthejnë traditën e tatuazhit të fytyrës. Kjo lloj kulture ka qenë e ndaluar për dekada nga kishat anglikane dhe katolike. Tatuazhet përshkruajnë histori njerëzore dhe përfaqësojnë një lloj lidhjeje me Tokën.
Tradita e tatuazheve të fytyrës që e ka zanafillën nga fiset inuit, një popull autokton I rajoneve arktike të Amerikës së Veriut, po rikthehet.
Gratë indigjene në Kanada, po risjellin artin e pikturimit të fytyrës dhe virtytet e tij "terapeutike", të ndaluara për dekada nga kishat anglikane dhe katolike.
“Brezi ynë po e kthen traditën”, thotë Micheline Kilabuk-Cote, pasi bëri një tatuazh.
“Ne jemi krenarë për paraardhësit tanë që i mbijetuan kushteve shumë të vështira për shkak të kulturës dhe praktikave të tyre. Dhe jemi shumë krenarë, që jemi Inuit”
Një 'V' në tëmtha, pika në faqe ose vija në mjekër janë disa nga simbolet më të preferuara. Ndërsa tatuazhet e duarve, të kyçit të dorës simbolizojnë një lloj identiteti apo historinë e jetës. Kyra Kilabuk, artiste e tatuazheve inuit shpjegon teknikën.
“Tatuazhet e duarve apo të kyçit të dorës janë zakonisht ato që njerëzit bëjnë fillimisht. Tregojnë interesa të caktuara, aftësi personale. Pra, ka shumë krijim dhe përshtatje në të."
Praktika e tatuazhit të fytyrës konsiderohet si një etapë maturie për gratë Inuit. Ato nuk mund të martoheshin derisa fytyrat e tyre të bëheshin tatuazh, dhe kjo nënkuptonte se kishin mësuar aftësi thelbësore për më vonë në jetë.
Shenjat tradicionale ndryshojnë nëpër botë, por të gjitha ato përfaqësojnë një lloj lidhjeje me Tokën.