Meloni kërcënon aleatët/ Kush nuk mban linjën e politikës së jashtme të saj mbetet jashtë qeverisë
Ndërsa në Romë kanë nisur konsultimet për formimin e qeverisë së re, Xhorxha Meloni ka paralajmëruar Berluskonin dhe Salvinin se do të mbeten jashtë qeverisë nëse nuk tregojnë qasje sa më perëndimore. Shqetësimet e Melonit vijnë pasi Berluskoni rrëfeu se kishte rilidhur marrëdhëniet me Putin.
Giorgia Meloni, e cila pritet të jetë kryeministrja italiane ka kërcënuar partnerët e saj të koalicionit të djathtë duke u zotuar se kabineti i saj do të jetë pro Bashkimit Evropian dhe Aleancës së NATO-së
Deklaratat e lideres së të djathtës ekstreme erdhën pas flirteve të kavalierit Silvio Berlusconi dhe presidentit rus.
Sipas një audio-regjistrimi Berlusconi dyshohet të ketë thënë se kishte shkëmbyer dhurata dhe letra që ai i quajti të ëmbla në fund të shtatorit me Vladimir Putinin.
Berlusconi e quajti këtë si rilidhje të marrëdhënieve me liderin rus.
Përmes një deklarate të ashpër, zonja Meloni tha se çdo parti që nuk pajtohet me linjën e politikës së saj të jashtme nuk do të bëhet pjesë e qeverisë.
Qeveria pritet të fillojë punën javën e ardhshme.
Meloni e ka mbrojtur me vendosmëri Ukrainën që kur Rusia nisi sulmin e saj në shkurt dhe ka mbështetur sanksionet perëndimore kundër Moskës.
Dy liderët e partive të tjera në koalicion me partinë Fratelli d’Italia të zonjës Meloni kanë një qasje më neutrale ndaj konfliktit dhe janë akuzuar për lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë.
Ata kanë qenë kundër sanksioneve dhe kundër dërgimit të armëve në Ukrainë.
