Truss mban karrigen dhe injoron kritikët, zotohet të qëndrojë në pushtet

Dështimi i planit ekonomik të kryeministres Liz Tras po e përndjek konservatoren brenda partisë së saj. Të mërkurën e fundit që ka dhënë dorëheqjen ka qenë sekretarja e Brendshme për mospajtim me qeverisjen e Tras. Megjithatë kryeministrja është zotuar të mbajë karrigen.

Kryeministrja britanike Liz Truss u zotua të qëndrojë në pushtet pasi u përball me kundërshtime të ashpra dhe zemërim nga Partia Konservatore në lidhje me planin e saj ekonomik që tashmë dështoi.

Një anëtare e lartë e qeverisë u largua nga detyra duke kritikuar ashpër kryeministren Truss.

Sekretarja e Brendshme Suella Braverman tha se ajo dha dorëheqjen pasi kishte shkelur rregullat duke dërguar një dokument zyrtar nga llogaria e saj personale e e-mailit.

Ajo e përdori letrën e saj të dorëheqjes për të kritikuar kryeministren Truss, duke thënë se kishte shqetësime për drejtimin e qeverisë.

Zonja Braverman është një figurë popullore në krahun e djathtë të Partisë Konservatore dhe një kampione e politikave më kufizuese të imigracionit.

Zonja Braverman u zëvendësua si sekretare e Brendshme, ministri përgjegjëse për emigracionin, ligjin dhe rendin, nga ish-ministri i kabinetit, Grant Shapps i cili mbështeti Rishi Sunak i cili u mposht nga Truss në zgjedhjet britanike.

Kryeministrja Truss u përball me më shumë trazira në Parlament të mërkurën në mbrëmje në një votim mbi prodhimin e energjisë nga gazi argjilor një praktikë që zonja Truss dëshiron të rifillojë pavarësisht kundërshtimit nga shumë konservatorë.

Me një shumicë të madhe konservatore në parlament, një thirrje e opozitës për të ndaluar këtë metodë prodhimi u mposht lehtësisht me 326 vota pro dhe 230 kundër, por disa ligjvënës ishin të zemëruar që drejtuesit e Partisë Konservatore thanë se votimi do të trajtohej si mocion besimi, që do të thotë se qeveria do të rrëzohej nëse lëvizja miratohej.