Paketa financiare britanike, ministri i Financave jep dorëheqjen

Paketa financiare e kryeminstres së re britanike Truss ka tronditur tregjet financiare dhe ka sjellë probleme brenda konservatorëve. Këtë të premte ministri i Financave Kwarteng dha dorëheqjen.

Vetëm pak javë pasi ka ardhur në fuqi kryeministrja e re britanike, Liz Truss, kanë dalë në pah edhe problemet me kabinetin dhe politikat financiare.

Ajo kërkon një buxhet të madh për të ndihmuar familjet britanike të përballojnë koston e luftës në Ukrainë dhe pandeminë, por ngjan se debatet janë të forta.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Financierët janë dyshues për paketën miliardëshe dhe politikat fiskale që ka hartuar qeveria, ndërkohë që bursa dhe tregjet kanë pasur luhatje.

Presioni ka qenë i fortë nga politika dhe sektori bankar, ndërsa hartuesi i paketës financiare, ministri Kwarteng dha dorëheqjen mesditën e së premtes.

Skenarët që parashikojnë analistët britanikë janë se mund të shkojmë deri në dorëheqjen e qeverisë për të ardhur Rishi Sunak, ish-kancelari.

Mini-buxheti i hartuar muajin e kaluar përfshinte 45 miliardë paund shkurtime taksash, të financuara nga huamarrja, gjë që tronditi tregjet financiare dhe shkaktoi një rënie të vlerës së paundit.

Kancelari u detyrua të anulonte planet për të ulur normën e lartë të tatimit mbi të ardhurat, e cila përbënte vetëm 2 miliardë paund të paketës.

Këtë të premte ai dha dorëheqjen, por trazirat e vazhdueshme të tregut nxitën një ndërhyrje nga Banka e Anglisë, e cila përfshinte blerjen e obligacioneve të qeverisë për të stabilizuar vlerën e tyre.