VIDEO/ Forcat iraniane qëllojnë protestuesit me armë të montuar në kamion

Janë shfaqur pamjet video që tregojnë forcat iraniane të sigurisë që qëllojnë mbi njerëzit me një armë të montuar në pjesën e pasme të një kamioni.

Në klipin e verifikuar nga shërbimi persian i BBC-së, dëgjohen zhurma teksa automjeti ndjek njerëzit në Baneh, në provincën e Kurdistanit.

Kurdistani është përballur me një goditje të ashpër që nga fillimi i protestave masive që kanë përfshirë vendin muajin e kaluar.

Zemërimi që çoi në protesta u shkaktua nga vdekja në paraburgim e një gruaje kurde 22-vjeçare, Mahsa Amini, gati një muaj më parë. Amini ishte arrestuar dhe dhunuar nga policia morale e Iranit për akuzën se kishte shkelur ligjin që kërkonte që gratë të mbulonin flokët me hixhab ose shami.

Një grup i të drejtave të njeriut thotë se më shumë se 200 njerëz janë vrarë.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Numri i saktë i viktimave dhe të plagosurve është i vështirë për t'u verifikuar pasi BBC dhe media të tjera të pavarura janë të ndaluara të raportojnë nga brenda Iranit. Autoritetet gjithashtu kanë ndërprerë internetin.

Organizata e të Drejtave të Njeriut në Iran, me bazë në Norvegji, ka përcaktuar numrin e të vdekurve në 201, përfshirë 23 fëmijë, që nga e mërkura, megjithëse shifra e vërtetë besohet të jetë më e lartë.