Donald Trump thirret nga komisioni për të dëshmuar mbi sulmin e 6 janarit

Ish-presidenti Donald Trump do të thirret për të dëshmuar para Komisionit të posaçëm të Kongresit Amerikan lidhur me sulmin e 6 janarit të vitit të kaluar ndaj Kapitol Hill-it. Edhe pse Komisioni votoi unanimisht, mbetet e paqartë nëse Trump do të paraqitet të dëshmojë për rolin e tij në inkurajimin e dhunës dhe përpjekjet e tij disa javore për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Komisioni i Kongresit që heton sulmin ndaj Kapitolit të Shteteve të Bashkuara më 6 janar të vitit të kaluar, votoi unanimisht të enjten për të thirrur ish-presidentin Donald Trump që të dëshmojë për rolin e tij në inkurajimin e dhunës dhe përpjekjet e tij disa javore për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020.

Kryetari i komisionit, Bennie Thompson u shpreh se "duhet dëgjuar Donald Trumpi, pasi ai duhet të përgjigjet për veprimet e tij, si pjesë e skemës për të qëndruar në pushtet."

Të nëntë anëtarët e komisionit votuan në favor të dërgimit të fletëthirrjes së ish-presidentit Trump, duke kërkuar dëshminë e tij dhe dokumentat që ai mund të disponojë për përpjekjet për të qëndruar në pushtet, duke mos pranuar humbjen përballë demokratit Joe Biden, i cili është tashmë presidenti i 46-të i vendit.


Mbetet pikëpyetje nëse Donald Trump, një ish-president republikan, do të bashkëpunojë me komisionin e dominuar nga demokratët, apo nëse do të përpiqet ta bllokojë thirrjen për paraqitje.

Zëdhënësi i tij, Taylor Budowich, tha se ish-presidenti nuk do të intimidohej nga “retorika e pavlerë apo veprimi jo-amerikan” i votimit për ta thërritur atë.

KËTU LAJMET MINUTË PAS MINUTE

Edhe më herët ish-presidenti Trump ka sfiduar edhe përpjekje të tjera për të vënë në pikëpyetje veprimet e tij gjatë kohës që ishte president dhe në periudhën pasuese, duke paraqitur padi të përsëritura, ndonjëherë duke i fituar ato dhe ndonjëherë duke i humbur, dhe gjithnjë duke shtyrë zgjidhjen përfundimtare.

Ish-presidenti Trump vazhdon të pretendojë pa fakte se u mashtrua në zgjedhje, për shkak të parregullsive në disa shtete ku humbi me rezultat të ngushtë ndaj Presidentit Joe Biden.