Indi, përdhunuesi dhe nëna e tij i vënë flakën adoleshentes pasi mësojnë se është shtatzënë
Një vajzë 15-vjeçare po trajtohet në një spital në Indinë veriore pasi dyshohet se iu vu zjarri nga një burrë i akuzuar për përdhunimin e saj.
Kamlesh Kumar Dixit, një oficer i lartë i policisë në Uttar Pradesh, tha për CNN se 18 vjeçari dhe nëna e tij u arrestuan të hënën me dyshimin për tentativë vrasjeje, pasi dyshohet se kishin derdhur vajguri mbi vajzën dhe i kishin vënë flakën më 6 tetor.
Oficeri tha se përdhunimi i dyshuar ndodhi rreth tre muaj më parë në Mainpuri - rreth 270 kilometra në juglindje të kryeqytetit të Indisë, Nju Delhi. Viktima kishte mbetur shtatzënë pas oërdhunimit.
Pasi mësuan për shtatzëninë e vajzës, familja e saj dhe familja e përdhunuesit të dyshuar kishin diskutuar nëse të dy duhet të martoheshin, shtoi Dixit.
Policia raportoi se vajza ishte thirrur në shtëpinë e përdhunuesit të dyshuar me pretekstin se do të martohej me të, kur ajo dyshohet se u dogj.
India është përballur prej kohësh me një nivel të lartë dhune ndaj grave dhe vajzave në vendin patriarkal. Dhe aktivistët thonë se përfshirja e një gruaje në këtë rast të fundit tregon shkallën e mizogjinisë së brendshme në shoqëri.