Presidentët e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore: Sulmi raketor rus është një krim lufte

Bombardimet masive ruse të qyteteve të Ukrainës përbëjnë krime lufte sipas ligjit ndërkombëtar, kanë thënë presidentët e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore.

“Ne, presidentët e Bullgarisë, Republikës Çeke, Estonisë, Hungarisë, Letonisë, Lituanisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Polonisë, Rumanisë dhe Sllovakisë, dënojmë bombardimet masive të qyteteve ukrainase të kryera së fundmi nga Rusia, të cilat sipas ligjit ndërkombëtar përbëjnë krime lufte”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Rusia i quan veprimet e saj në Ukrainë një "operacion special" për të cilin thotë se nuk është krijuar për të pushtuar territore, por për të shkatërruar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj jugor dhe për të kapur ata që i konsideron nacionalistë të rrezikshëm.

Rusia mohon se synon qëllimisht civilët.

Një javë më parë, presidentët e nëntë vendeve të NATO-s të Evropës Qendrore dhe Lindore dënuan aneksimin nga Rusia të katër provincave pjesërisht të okupuara ukrainase, duke hedhur poshtë masën ruse si të paligjshme dhe duke mbështetur aspiratat e Ukrainës për t'u anëtarësuar në NATO.

Njoftimi u nënshkrua nga liderët e Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë, Republikës Çeke, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Rumanisë dhe Sllovakisë.