Berisha me suedezët: Rama në mandatin e tretë për shkak të dobësisë së opozitës

Kryetari i PD-së, Sali Berisha u shpreh se vendi ndodhet në mandatin e tretë të qeverisë Rama për shkak të dobësisë së opozitës.

Ai foli gjatë konferencës të organizuar nga PD për zgjedhjet vendore ku ishin të pranishëm edhe deputetët suedezë të partisë simotër “Moderaterna” dhe të fondacionit "Hjarl Hjalmarson".

Berisha theksoi se tek shqiptarët u krijua përshtypja se Edi Rama është i pamundshëm, nuk mund të mundet dhe opozita si të thuash, i bën fresk atij.

Berisha: Jemi në mandatin e tretë në opozitë dhe kjo absolutisht jo për merita të qeverisë, por për dobësinë e opozitës, sepse ne këtu kemi pasur dhe kemi një qeveri që mund të përmblidhet me dy fjalë: “Scandal based government” Qeveri e bazuar në skandale. Ky udhëtim i opozitës në këto vite ka qenë udhëtim topitës, në një mënyrë ose tjetër për fatin më të keq si asnjëherë në këto 30 vite, dora e Qeverisë u shtri mbi opozitën.

Dhe tek shqiptarët u krijua përshtypja se Edi Rama është i pamundshëm, nuk mund të mundet dhe opozita si të thuash, i bën fresk atij. Në këtë kontekst, PD ndodhej para alternativës “To be or not to be” - Të ekzistonte apo të shkrihej. Por unë mendoja dhe mendoj se duhet të ekzistonte, sepse mbi 620 mijë shqiptarë e votuan në zgjedhjet e fundit. Por ajo që duhet të ekzistonte, duhej të ndryshonte në mënyrë rrënjësore, të paraqitet para shqiptarëve një parti tërësisht e ndryshuar përndryshe ata nuk kanë asnjë arsye të na besojnë ne.