Digjet magazina në Pogradec, e vetmja e atij lloji në të gjithë bashkinë
Një magazinë frigoriferike u dogj plotësisht në orët e para të mëngjesit në Petrushë të Pogradecit.
Burimet nga grupi i ekspertëve thanë se paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë pas një shkëndije elektrike.
Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrëfikësve nga Pogradeci dhe Maliqi, shuarja e flakëve ishte e pamundur.
Ky frigorifer, sipas kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, është i vetmi në të gjithë bashkinë, ndaj dhe për këtë, kryebashkiaku ka bërë me dije se është ngritur grupi i punës për verifikimin e dëmeve.
"Bashkë me prefektin por edhe me Grupin e Emergjencave, do të bëjmë një relacion përkatës dhe do të shkojmë të bisedojmë me Ministrinë e Bujqësisë, me AZHBR-në, sepse rasti në fjalë ka të bëjë me pikë grumbullimi. I zoti e ka bërë vetë, pa ndihmën e shtetit, kështu që do mundohemi të bëjmë maksimumin për ta mbështetur", shprehet kryebashkiaku.
Magazina u ndërtua dy vite më parë dhe ka një kapacitet ruajtës 350 tonë.
