Spiunët rusë ngecin në Mal të Zi, dhjetëra persona janë arrestuar në Podgoricë, aksioni po vazhdon ende
Autoritetet shtetërore malazeze kanë ndërmarrë operacionin më të madh të arrestimit të spiunëve të dyshuar rusë në Mal të Zi.
Me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe me urdhër të Gjykatës së Lartë në Podgoricë, policia po kontrollon banesat dhe hapësirat e tjera të disa qytetarëve.
Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, ka deklaruar të enjten se dhjetëra persona janë arrestuar në Podgoricë dhe aksioni po vazhdon ende.
Ai ka thënë se marrë parasysh madhësinë e shtetit të Malit të Zi, ky është një nga aksionet më të mëdha të arrestimit në vendet e NATO-s.
Sipas informacioneve të bëra publike në mediat vendase, në aksionin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, si dhe Prokurorisë Speciale të shtetit, në mesin e të arrestuarve ka edhe shtetas malazezë, përfshirë edhe një zyrtar të administratës shtetërore, si dhe disa shtetas rusë.
Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, e ka mirëpritur veprimin e Prokurorisë Speciale të Shtetit, duke thënë se “bëhet fjalë për një aksion ndërkombëtar”.
Sipas tij, ai po realizohet me partnerët e Malit të Zi dhe ka për qëllim “ruajtjen e interesave kombëtare”.
Më herët gjatë ditës është bërë e ditur se bastistjet kanë nisur me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Shtetit, nën dyshimet për veprën penale të spiunazhit.
Prokurori special i Malit te Zi, Vukas Radonjiq në një prononcim për mediat tha se policia po kontrollon banesat dhe hapësirat e tjera të disa qytetarëve, për shkak të dyshimit të bazuar se janë kryer veprat penale: krijim i organizatës kriminale dhe spiunazh.
Kujtojmë se Agjencia për Siguri Kombëtare ka njoftuar më parë, se shërbimet ruse kanë qenë mbrapa një sulmi të fuqishëm kibernetik që ka çaktivizuar infrastrukturën shtetërore të teknologjisë informative, në fund të gushtit të këtij viti.
