Premtimet zgjedhore të bullgarëve, GERB: Bullgaria faktor në Ballkan, marrëveshje me Maqedoninë
Bullgarët do t’i drejtohen kutive të votimit të dielën për të zgjedhur qeverinë e re. Çështjet kryesore të fushatës janë marrëdhëniet me Maqedoninë, mbrojtja e interesave kombëtare, roli i Sofjes në arenën ndërkombëtare dhe trajtimi i krizës në Ukrainë.
Politika e jashtme do të jetë kali i betejës në Bullgari në kuadër të garës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Vëmendje të veçantë në programet e partive zënë marrëdhëniet e Sofjes me Maqedoninë e Veriut dhe rolin e Bullgarisë në Ballkan.
E rëndësishme për shumicën dërmuese të forcave politike është roli i Bullgarisë në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe trajtimi i luftës ruso-ukrainase.
Disa sondazhe lokale sugjerojnë se partia që udhëhiqet nga ish-kryeministri Bojko Borisov GERB mund të marrë shumicën e votave të dielën.
Kjo parti do të angazhohet për zbatimin e kornizës negociesuese mes Shkupit dhe Sofjes sipas direktivave të Presidencës franceze të BE-së.
Në programin e saj thuhet se GERB dëshiron që ta shndërrojë Bullgarinë në një faktor në rajonin e Ballkanit dhe Evropën Lindore me synim të saktë te aleancat euroatlantike.
Partia që pritet të dalë e dyta është ajo e ish-kryeministrit Kirill Petkov.
‘Vazhdojmë Ndryshimin’ bën thirrje për një Ballkan Perëndimor me treg të përbashkët dhe pa kufij apo barriera për të punuar e udhëtuar.
Nëse kjo parti rivjen në pushtet do të zbatojë marrëveshjen me Shkupin në përputhje me kornizën e miratuar të negociatave dhe të punojë për të drejtat e bullgarëve në Maqedoni.
Gjithashtu ata premtojnë ta pozicionojnë Bullgarinë në zemër të Evropës dhe jo në periferi.
Partia Lëvizja për të Drejta dhe Liri e cila e vë theksin te politikat e përbashkëta me partnerë të NATO-s dhe BE-së.
Koalicioni për Bullgarinë i kushton vëmendje të veçantë vendeve të Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim më aktiv rajonal në Evropën Juglindore dhe vazhdimin e politikës së zgjerimit të BE-së.
Bullgaria Demokratike kërkon zbatimin e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë mes Sofjes dhe Shkupit e cila konsiston në harmonizimin e teksteve historike dhe krijimin e një forme autentike të figurave dhe çështjeve kulturore historike me ndërmjetësim të ekspertëve ndërkombëtarë.
Ndërsa partia ultranacionaliste ‘Rilindja’ në programin e saj kërkon bashkimin e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut të cilën e quan kombi i dytë bullgar në Ballkan.

