Çekia premton liberalizim vizash
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, ministri i Jashtëm çek Jan Llipavski tha se Praga zyrtare po punon për ta shtyrë përpara procesin e liberalizimit të vizave mirëpo nuk mund të parashikohet një datë e saktë se kur mund të ndodhë.
Jan Llipavski: "Sa i përket liberalizimit të vizave, jemi në rrugë të drejtë dhe shpresojmë se do të gjejmë përkrahje politike që procesi të përfundojë. Procesi përbehet nga aspekte teknike dhe vendime politike. Shumë shpejtë BE-ja do të rishikojë pjesën teknike dhe shpresoj që presidenca çeke të ketë vendim politik, që liberalizimi të ndodhë. Pastaj kthehemi te aspekti teknik dhe është e vështirë që të parashikohet një datë e saktë se kur ato procese do të përfundojnë."
Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bisimi tha se qeveria Kurti beson se Çekia do ta çojë përpara liberalizimin edhe pse është i vetëdijshëm se procesi do të zgjasë.
Bislimi: E çmojmë faktin se ju e keni vendosur lart agjendën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ky është hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar për liberalizimin e vizave. Janë pesë procedura, por ne kemi besim të plotë se Çekia do ta shtyjë përpara këtë proces sa është në krye të BE-së.
Në 13 tetor, Këshilli Evropian pritet ta ketë liberalizimin e Kosovës në rendin e ditës.
Zoti Llipavski foli edhe për dialogun Prishtinë-Beograd për të cilin tha se dy shtetet duhet të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura.
Ministri i Jashtëm çek po qëndron në Kosovë për një vizitë zyrtare, ku u takua me presidenten Osmani dhe të dytin e qeverisë, Besnik Bislimi.
